A po konsideron SHBA-ja tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova nëse kryeministri Albin Kurti nuk tërheq taksën ndaj mallrave serbe? Djali i presidentit amerikan Donald Trump ka dhënë me në fund një përgjigje dhe nuk është aspak optimiste për Kosovën.
Në një postim në Twitter, Donald Trump Jr thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të largohen nga Kosova
“Ka 650 trupa amerikanë në Kosovë. Është koha të rikthehen në shtëpi”, ka shkruar Trump Jr., duke shpërndarë postimin e senatorit amerikan, David Perdue, i cili shkroi se Amerika duhet ta rikonsiderojë prezencën ushtarake në Kosovë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun Prishtinë-Beograd, Grenell ka shpërndarë qëndrimin senatorit amerikan, David Perdue, i cili e thotë hapur se nëse nuk hiqet taksa dhe nëse nuk tregohet gatishmëri për paqe të plotë me Serbinë, atëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të tërheqin trupat ushtarake.
Reagimet e forta të politikanëve amerikanë vijnë pas refuzimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti që të hiqet menjëherë taksa 100 % ndaj Serbisë pa asnjë kusht shtesë.
Perdue thotë se SHBA-ja është duke ruajtur paqen mes Kosovës dhe Serbisë për më shumë se 20 vjet dhe, sipas tij, nëse Kosova nuk e heq taksën, atëherë SHBA-ja duhet të tërheqë ushtrinë.
“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha detyrat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, ka shkruar ai.
Richard Grenell kishte reaguar ashpër pas vendimit të Albin Kurtit për heqje të pjesshme të taksës, duke thënë se Kurti po bën një gabim shumë serioz. Marrëdhëniet mes tij dhe kryeministrit Kurti, duken të tensionuara, ndërkohë që kreu i qeverisë së Kosovës duket se po kërkon mbështetje tek BE-ja.
Pas postimit të Trump Jr, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të mblidhet urgjentisht që të merren vendime në përputhje me kërkesat e Shteteve të Bashkuara.
“E keni cenuar mjaftueshëm lidhjen tonë speciale me SHBA-në, pa të cilën nuk do ta kishim as lirinë, as shtetin dhe as të ardhmen. Me këtë qasje po vihet në pikëpyetje edhe vetë e ardhmja e shtetit tonë”, ka shkruar presidenti në Facebook.
Ai ka thënë se për Kosovën janë jetike raportet me SHBA-në.
“Të gjithë ne, krerë institucionesh, liderë politikë apo qeveri, jemi të zëvendësueshëm. Por, jetike dhe të pazëvendësueshme për Republikën e Kosovës janë vetëm raportet me SHBA-në. Konfrontimi me SHBA-në është shumë i dëmshëm dhe një gabim i pafalshëm në historinë moderne të Kosovës”, tha Thaçi.
Ndërkaq mediat në Kosovë kanë raportuar se Sean Cairncross, drejtor i MCC, i caktuar nga Donald Trump, ka biseduar në telefon me Kurtin dhe i ka thënë atij se do të bllokohen 50 milionë euro si dhe do të bllokohet edhe projekti i gazit – ku ishte planifikohej të investohen rreth 150 milionë euro të tjera.
Prezenca ushtarake amerikane ka qene thelbësore për ruajtjen e paqes në Kosovë, si dhe një lloj garancie për mbrojtjen nga agresioni serb. Investimi më i vyer ushtarak i SHBA-së në Kosovë është baza e Bondsteel, e cila u hap 15 vjet më parë në kohën e Xhorxh W. Bush.
Kampi amerikan u ndërtua për të strehuar forcat paqeruajtëse amerikane pak pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 1999. Baza mund të mbajë deri në 7000 ushtarë dhe punëson tani për tani qindra banorë të zonës. Kampi amerikan ofron gjithashtu spitalin më të mirë në Kosovë, një kishëz të vogël, një stacion policor dhe një qendër edukimi.
Edhe pse mirëmbajtja e bazës i kushton SHBA-së qindra milionë dollarë dhe situata në Kosovë është normalizuar, qeveria amerikane nuk ka dhënë asnjë sinjal deri më tani për mbylljen e bazës në Ferizaj.