Djali i akademikut të njohur Mojkom Zeqo, Epidamn Zeqo, nga studio e “Historia ime”, foli këtë të premte për humbjen e parakohshme të të atit, i cili la një dhimbje dhe boshllëk të madh tek familjarët e tij.
Në një rrëfim prekës, pak më shumë se 2 javë nga humbja e madhe, Epidamni tregoi se sëmundjen e rëndë të të atit e ka marrë vesh ditën e dasmës së tij.
Mirela Miroli: Si e përballuat sëmundjen e Moikomit?
Epidamn Zeqo: Ditën që e mora vesh se babi kishte leukemi kronike, ishte dita e dasmës sime, si të thuash dita më e lumtur, por edhe më e rëndë. Qava gjatë dasmës normale, por edhe u gëzova shumë edhe bëmë party. Është e vështirë me këtë sëmundje, është sëmundje që kontrollohet e menaxhohet, por që nuk shërohet. Kërkon kimioterapi, kërkon ilaçe të tjera.
Mirela Miroli: A ishte i fortë?
Epidamn Zeqo: Ishte i fortë, prandaj duroi kaq shumë. Ai ka qenë kampion noti. Unë e mbaj mend babin që gjithmonë ecte para dhe shumë shpejt, e mbaj mend të fuqishëm e normale kur e shikon degradimin trupor, të vjen keq. Është shumë e dhimbshme, e shkuara në spital, lufta që mami im ka bërë për të siguruar ilaçet për babin kanë qenë të tmerrshme e të lodhshme për të gjithë.