Djali i ish-deputetit të ndjerë Sokol Olldashi, Glauk Olldashi, i rikthyer prej pak kohësh nga Anglia për t’u angazhuar në politikë në Shqipëri, i zhgënjyer nga zgjedhjet e 30 qershorit ka reaguar ndaj Partisë Demokratike.
Olldashi është shprehur se PD fiton zgjedhje vetëm kur ndjell besim e frymëzon demokratët dhe të gjithë shqiptarët.
Sipas tij, Basha nuk i ka pyetur demokratët për vendimin për të mos u futur në zgjedhje. Sipas tij, kush kundërshton brenda partisë shpallet tradhëtar. Këtë lloj mendësie Glauk Olldashi e cilëson si komuniste, duke shtuar se nuk do të mërzitet nëse do ta etiketojnë edhe atë si tradhëtar.
“E Diela ishte dita në të cilën do të kisha ushtruar për herë të parë të drejtën e votës. Nuk e bëra, edhe pse e kisha pritur këtë ditë prej kohësh. Demokratët nuk i janë trembur kurrë proceseve zgjedhore sepse ato janë për ne prova dhe sprova e demokracisë.
PD-ja fiton zgjedhje vetëm kur ndjell besim dhe frymëzon demokratët dhe të gjithë shqiptarët që edhe pse nuk kanë bindje të caktuara politike besojnë tek fryma që forca jonë përfaqëson. A është në popull ky besim? Zgjedhjet e 2015 dhe 2017 treguan që, Jo. Tek procesi i 2019 nuk e testuam besimin e popullit. Tashmë ky akt, i cili i dha 61 bashki PS – A do t’i vlejë kësaj force politike? Po për ne a do të vlejë?
Fakti i hidhur është që PD nuk do të menaxhojë më asnjë pushtet. Kush ka faj? Sigurisht që përgjigja që na vjen në mendje kur na pyesin është “vetja”. Por, demokratët nuk u pyetën për vendimin e mospjesëmarrjes, në fakt demokratët jo vetëm që nuk pyeten më në PD, por edhe kur ndonjëri guxon të kundërshtojë shpallët “tradhëtarë”. Kjo mendësi komuniste, edhe pse e huaj për partinë tonë, na ka “infektuar”. Çfarë është kura? Për mendimin tim do na bënte mirë një proces zgjedhor për ristrukturimin e partisë tonë. P.S., Po më quajtët tradhëtar……. nuk mërzitem”, shkruan Glauk Olldashi.