Gjykata e Wilmington në Delaware ka shpallur fajtor djalin e Presidentit të SHBA Joe Biden, Hunter Biden.
Hunter Biden u shpall fajtor për tre vepra penale që lidhen me blerjen e një arme në vitin 2018 kur, sipas prokurorëve, gënjeu në një formular për blerje armësh, duke thënë se nuk ishte përdorues droge apo nuk kishte varësi nga droga.
Juria e shpalli Hunter Biden fajtor për pretendime të rreme në formularin për blerjen e armës dhe për mbajtjen e armës në shkelje të ligjit për 11 ditë.
Ligji amerikan i ndalon personat me varësi nga lëndët narkotike që të mbajnë armë.
Në kohën kur u shqiptua vendimi i jurisë, Hunter Biden shikoi pa reagim. Më pas, ai përqafoi avokatët e tij dhe mezi buzëqeshi. Ai puthi bashkëshorten e tij, Melissën, me të cilën doli së bashku nga gjykata.
Ai përballet me një dënim prej 25 vitesh në burg dhe një gjobë prej 750 mijë dollarë, por shkelëseve të ligjit për herë të parë nuk u jepen dënime kaq të rënda
Gjykata e shtyu për një ditë tjetër dhënien e vendimit të dënimit, pasi juria e shpalli fajtor.
Dënimi do të vendoset nga gjykatësja federale Maryellen Noreika, e emëruar nga Trump në 2018, por e mbështetur nga dy senatorët demokratë të Delaware.
Babai i tij mund t’i japë në çdo rast faljen presidenciale ose të zbusë dënimin, por Shtëpia e Bardhë e ka përjashtuar zyrtarisht këtë mundësi.
Disa anëtarë të familjes, përfshirë Zonjën e Parë Jill Biden dhe vëllain e Presidentit Biden, James Biden, ishin të pranishëm në sallën e gjyqit në Delauer. Zonja Biden ka qenë e pranishme gjatë pothuajse të gjithë gjyqit, duke munguar vetëm një ditë për shkak të pjesëmarrjes në ceremonitë për nder të përvjetorit të zbarkimit të trupave aleate në Normandi të Francës.
Hunter Biden, 54 vjeç, pati deklaruar se ishte i pafajshëm për akuzat penale se ka gënjyer mbi varësinë nga droga në formularin qeveritar për blerjen e një pistolete “Colt Cobra” dhe posedim të paligjshëm të armës për 11 ditë.
Kjo është hera e parë në SHBA që një anëtar i familjes së Presidentit shpallet fajtor për një krim nga gjykata gjatë mandatit të babait president.