Një festë e orëve të vona në një nga restorantet më luksoze në rrugën e Kavajës, brenda kompleksit “Deligjorgji” në Tiranë përfundoi me tre të plagosur me armë zjarri, anëtarë të së njëjtës familje, motra dhe vëllezërit.
Festa në rreth shoqëror e familjar përfundoi me gjakderdhje, pasi në mesin e të ftuarve ishte dhe një person i armatosur. Edison Elezaj, 32 vjeç, djali i biznesmenit Hajri Elezaj, i njohur si pronar i ujit “Lajthiza”, kishte me vetë një armë zjarri që policia thotë se ishte pa leje. Gjatë festës pas mesnate, arma është shkrepur dhe për pasojë mbetën të plagosur 3 familjarë, motra me dy vëllezërit.
Vajza 36 vjeç binjake me vëllain, dhe më i vogli mes tyre, 34 vjeç u paraqitën rreth orës 01:35 në një spital privat në Tiranë me dëmtime të shkaktuara nga arma e zjarrit, thotë policia në një njoftim zyrtar.
Vëllezërit kanë lënë spitalin pasi kanë marrë mjekim, ndërsa vajza 36-vjeçare, thotë policia – është ende nën kujdesin e mjekëve, por jashtë rrezikut për jetën.
“Rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, ara kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës”, thotë policia.
Rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta, apo se përse djali i biznesmenit Elezaj duhej të festonte me armë në brez, por policia thotë në një njoftim zyrtar se 32-vjeçari “dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje ka bërë një shkrepje të pavullnetshme”.
32-vjecari Edison Elezaj është shpallur në kërkim.