Kritikave të ndërkombëtarëve për daljen nga parlamenti të opozitës i shtohet edhe ajo e Këshilltarit Politik të Komisionit të Helsinkit, Robert Hand.
Në një intervistë për seksionin shqip të “Zërit të Amerikës”, ai thotë se argumentet e Lulzim Bashës të prezantuara nga vetë kreu i Partisë Demokratike në takimin e OSBE-së në Vjenë, nuk ishin bindëse.
“Isha rishtazi në Vjenë në një takim të OSBE-së. Lulzim Basha ishte atje. Dëgjova disa nga kritikat e tij për qeverinë aktuale në Shqipëri. Dhe pavarësisht nëse isha dakord apo jo me një pjesë të atyre kritikave, nuk dëgjova që të paraqitej një situatë që do të justifikonte një bojkotim të parlamentit dhe aq më tepër që të ndërmerrej hapi i mëtejshëm i dorëzimit të mandateve dhe të bërjes së qartë që nuk do të kthehen më”.
Hand e quan shumë të dëmshme për vendin këtë lëvizje të opozitës, aq më tepër në prag të vendimit të Qershorit për negociatat.
“Të ndërmarrësh këtë hap dhe të tërhiqesh pothuajse plotësisht nga parlamenti, pak a shumë nuk lë asnjë rrugëdalje, përveç përplasjes politike që mund të jetë shumë destabilizuese. Me atë që ka bërë opozita e ka hequr fokusin nga ato që mund të jenë disa shqetësimet e saj më serioze. Rikthehet fokusi tek pikëpyetja pse të tërhiqesh nga parlamenti dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e qeverisjes në Shqipëri, mirëqeverisjen në Shqipëri dhe për perspektivën e saj për fillimin e negociatave me BE-në dhe gjëra të tilla që mund të rrezikohen tashmë”.
Hand thotë po ashtu se është i gabuar etiketimi si tradhtar i kandidatëve nga listat shumëemërore që kanë pranuar mandatet.
“Ka pasur disa që kanë refuzuar të heqin dorë nga mandatet e tyre, që nuk janë dakord me këtë vendim, pra ka akoma disa përfaqësues të opozitës në parlament. Ndoshta kjo duhet t’u japë atyre më shumë forcë që të përpiqen të mbyllin hendekun. Unë njoh disa prej tyre dhe e di që nuk janë nga ata që justifikojnë qeverinë, madje edhe janë kritikë të qeverisë. Shpresoj që ata të përpiqen të mbyllin hendekun dhe t’i sjellin palët bashkë dhe shpresoj që kjo të mund të bëhet sepse siç e thashë jam shumë i zhgënjyer”.
Këshilltari Politik i Komisionit të Helsinkit përmend si tejet të rëndësishme Reformën në Drejtësi, duke e konsideruar një hap të madh për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.