“Djegia e mandateve të opozitës tregon këmbëngulje dhe vendosmëri, por edhe si një vendim që mund të çojë në shuarjen e PD”. Është ky qëndrimi i të ftuarve në studion e Byro Politike të Juli Xhokaxhi.
Për ish-deputetin demokrat Arben Imami ky vendim kërkon një mençuri shumë të madhe, pasi mund të sjellë pasoja katastrofike për vendin, por edhe për PD-në.
Imami: “Ky është fundi, pas kësaj nuk ka. Ky vendim do një mençuri shumë të madhe që të mos sjellë pasoja katastrofike të vendit. Kostot politike mund të jenë shumë të mëdha, mund të çojnë deri në shuarjen e PD. Është një veprim që do matur mirë. Ai që do marrë vendimin e duhur dhe ta nxjerrë matanë. Zgjedhja është e vështirë. Mbështetjen e ka pasur, por përgjegjësia është e tij”.
Për Gjergji Bojaxhiun vendimi për djegien e mandateve tregon vullnet e këmbëngulje, por ai thekson se nëse zëvendësohen me të njëjtat mjete qytetarët do vijojnë të përballen me të njëjtat probleme
Bojaxhi: “Mendoj që tregon një lloj vendosmërie dhe këmbënguljee të fortë për të thënë që unë nuk jam më pjesë e lojës. Nëse ne kemi të njëjtat mjete që të zëvendësojmë këtë që kemi, qytetarët do vazhdojnë të përballen me të njëjtat probleme. Buron në mënyrën si administrohet PD. Nëse ne nuk ndryshojmë modelin ne thjesht do përsërisim të njëjtën gjë”.
Nga ana tjetër Artan Hoxha u shpreh se ky vendim erdhi në momentin e duhur pas mitingut, që i bën presion mazhorancës për të reflektuar.
Hoxha: “Sot është marrë vendimi që qeverisë t’i bëhet presion përmes djegies së mandateve dhe mazhorancës i duhet dhënë kohë për të reflektuar punë ditësh a javësh. Nëse do reflektojë për të qenë dakord për marrëveshje për qeveri tranzitore, nëse nuk refkleton dhe mandatet do digjen afrimi i datës do rrisë presionin shoqëror dhe ndërkombëtar mbi këtë mazhorancë se opozita e ka ndarë menjden. Momenti i vendimit erdhi natyrshëm dhe nuk ndodh si një rrufe në qiell të pastër. Pas atij mitingu ishte momenti i duhur, para mitingut ishte mjet i parakohshëm për tu’ përdorur. Betejat e mëdha e përmirësojmë çdo organizëm”.
Për gazetarin Bejtja ky është një vendim me shumë të panjohura, pasi një kthim prapa e varros opozitën.
Bejtja: “Vendim i fortë, me shumë të panjohura se s’di si do kalohen juridikisht. Opozita kur e ka bërë këtë akt duhet të ketë pasur parasysh do e ndjekë a jo populli, se një kthim prapa, qoftë dhe një marrëveshje si e 17 majit e varros opozitën”.
I pyetur nëse Basha hap ofertën që Imami të rikthehet në PD si kontributor, ish deputeti demokrat tha se kjo nuk mjafton, nëse Basha nuk ndahet nga kthetrat e Ramës
Xhokaxhi: Në rast të djegies së mandateve, nëse Basha hap ofertën e madhe ju riktheheni si kontributor në PD?
Imami: “Jo nuk mjafton. Nëse Basha për çfarëdo lloj arsyeje, nëse nuk denoncon traktatin e fshehtë të 17 majit, ky nuk bën dot opozitë se do t’i thotë ai artist. Ndarje e qartë e kreut të PD nga kthetrat e kreut të PS është në interesin tim si anëtar i PD dhe kjo është arsyeja themelore që unë të mbështes një akt që është më radikali dhe ekstremi. Është një vendim që do merret dhe është shumë serioz. Nuk mund të futem në lojëra politike”.