Nga Tepelena, kryeministri Edi Rama iu bëri thirrje prokurorëve që të mos harrojnë fëmijët dhe gjyshërit e tyre kur marrin vendime për pushimin e çështjeve të atyre që djegin pyjet.
Sipas Ramës, Kodi Penal parashikon burgosje të gjata për autorët e djegies së pyjeve dhe i cilësoi kriminale veprimet e prokurorëve që nuk nisin apo pushojnë çështjet ndaj tyre.
“Për ata që djegin pyjet është meritë e madhe e Policisë së Shtetit dhe dua të falënderoj Policinë e Shtetit që kanë arrestuar disa nga ata që djegin pyjet për të cilët kodi penal parashikon burgosje të gjata. Dua t’i bëj thirrje prokurorëve, që kanë shpallur në mënyrë edhe më kriminale se ata që i kanë djegur pyjet, pushime çështje e mosfillime çështjesh për djegien e pyjeve që të mos harrojnë fëmijët e tyre, fëmijët e fëmijëve të tyre dhe as gjyshërit e stërgjyshërit e tyre që kanë mbjellë ato pemë, kur marrin përsipër vendime të tilla kriminale, për këta kriminelë të cilët duhet të shkojnë në burg dhe duhet të rrinë gjatë në burg se me një shkrepëse që vjen nga një kotësi kriminale, djegin pasuri të tëra të vendit. Nuk dua që të ndodhë si në vendet rreth e rrotull nga zjarrvënia e papërgjegjshme. Ka një nen në kodin penal që është shumë i qartë”.
I pyetur për depozitimin e mbetjeve urbane në zonat që prekin Vjosën dhe mos çuarjen përpara përgjegjësive të autorëve, Rama tha se në Shqipëri nuk ka shkuar në burg askush as për hedhje plehrash dhe askush që nuk ka paguar dritat.
“Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e pastër se sot dhe kemi numër turistësh marramendës. Pastërtia mbetet edhe këtë vit. Po të mos kishte qëndruar në kokë deputetja e këtij qarku, Vjosa nuk do të ishte shpallur sot park kombëtar me në aleancë aq të gjerë. Programi i parkut kombëtar ka brenda zgjidhjen e problemit të kanalizimeve dhe mbetjeve dhe këto bëhen me fonde. Po i bëjmë projektin për qendrën e parë të pritjes së parkut kombëtar dhe kemi mbështetje të konsiderueshme me partnerët që kemi lidhur aleancë. Parkun Kombëtar e kemi shoqëruar me një aleancë ku bashkëfinancojmë dhe e njëjta gjë edhe për mbetjet. Në Shqipëri nuk ka shkuar në burg askush as për hedhje plehrash as kush nuk ka paguar dritat. Në burg kanë shkuar ata që kanë vjedhur dritat jo ata që nuk paguajnë dritat. Ata që ua kanë marrë të tjerëve dritat”.