Nuk është normale ajo që ndodhi në Stade de France, pesë minuta para fillimit të ndeshjes, kohë kur është programuar sipas standardeve të UEFA-s të luhen himnet kombëtare të skuadrave që sfidohen.
Një gafë e dyfishtë e francezëve organizatorë, që luajtën himnin e gabuar dhe më pas e korrigjuan duke i kërkuar ndjesë kombëtares së gabuar…
Skandal, ndaj dhe jehona e këtij incidenti në Paris bëri më shumë zhurmë, në mediat e huaja, se fitorja e Francës 4-1 përballë Shqipërisë…
Kush e di si janë ndjerë lojtarët kuqezi në mesin e fushës, kur kanë dëgjuar himnin që nuk ishte i tyre…? Pyetjes i jep përgjigje Gazzetta dello Sport: “Sytë e Strakoshës thonë gjithçka: “Djema ky nuk është himni ynë!”. Shqiptarët mbetën të palëvizur në mesin e fushës, të turpëruar e duke mos e besuar atë që po ndodhte, ndërsa në Stade de France luhej himni i Andorrës. Ky është përshkrimi që i bën gazeta më e madhe italiane incidentit.
Pas Marsejezës nuk u luajt Himni i Flamurit shqiptar, por “El Gran Carlemany”, himni i Andorrës. Futbollistët panë me shikime të helmatisura përgjegjësit dhe Shqipëria protestoi, duke kërkuar të luhej himni i duhur përndryshe ndeshja nuk do të luhej. Ky ishte edhe motivi i vonesës së startit. “Çështje krenarie” sipas Gazzetta.
France Football nuk mund të anashkalonte atë që ndodhi në Stade de France, pavarësisht se performanca e Francës në fushë ishte mbresëlënëse: “Gafa e madhe para ndeshjes” e parë në Twitter me komentet më pikante të tifozëve, që kanë mbetur të befasuar nga ajo cfarë panë në stadium, ku si për ti vënë vulën mendoi spikeri i Stade de France që ndjesën për himnin e Andorras ia kërkoi kombëtares së Armenisë.
Edhe Guardian i ka kushtuar vëmendje skandalit me himnin kombëtar të Shqipërisë: “Franca kalon lehtësisht Shqipërisë, pas turpërimit me himnin” titullon e përditshmja britanike. “Pjesa më negative e mbrëmjes, deri në momentin kur Sokol Cikalleshi shënoi me penallti në minutën e fundit, ishte para fillimit të ndeshjes. Në Stade de France u luajt himni i Andorrës dhe Shqipëria refuzoi të luante pa u korrigjuar gabimi, duke e shtyrë ndeshjen 7 minuta”…