Novak Djokovic nuk do të marrë pjesë në këtë edicion të Australian Open. Vendimi përfundimtar është marrë tashmë dhe serbit nuk i mbetet gjë tjetër veçse ta pranojë.
Pjesëmarrja e numrit 1 të botës në grand-slamin e parë të vitit u kthye papritur në një çështje shtetërore pasi Djokovic nuk është vaksinuar kundër Covid-19 dhe Australia e ka të ndaluar që të hyjnë në këtë vend shtetas të huaj që nuk kanë bërë asnjë dozë të vaksinës.
Gjykata Federale ka hedhur poshtë apelin e Noles i cili tashmë është dorëzuar dhe do të kthehet në Serbi pas ditësh qëndrimin në kontinentin e “kangurëve”.
Tre gjykatësit kanë konfirmuar vendimin e marrë të premten nga Ministri i Emigracionit në Australi për të përjashtur Djokovic nga turneu që do të zhvillohet në Melbourne.
I pyetur mbi këtë çështje numri 1 i botës theksoi se është i zhgënjyer por do të respektojë vendimin dhe do të largohet nga Australia. Djokovic humbet kështu mundësinë për të mbrojtur titullin e fituar një vit më parë në Australian Open.