Bota “Do çojmë ndihma në Gaza”, Macron: Izraeli do të bënte një gabim...

“Do çojmë ndihma në Gaza”, Macron: Izraeli do të bënte një gabim me një pushtim masiv tokësor

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Franca do të dërgojë një anije të marinës në ndihmë në spitalet në Rripin e Gazës.

Anija do të niset nga porti ushtarak francez në Tulon, në Detin Mesdhe, brenda 48 orësh, tha ai.

Po ashtu, një avion francez do të shkojë në Egjipt të enjten për të dërguar pajisje mjekësore, të cilat më pas do të dërgohen me kamionë në Gazë.

“Do të ketë ndihma të tjera”, tha Macron, duke shtuar se Franca dëshiron që t’iu ofrojë civilëve në Gazë qasje në ilaçe dhe kujdes shëndetësor.

Macron i bëri këto komente në Egjipt të mërkurën. Një ditë më herët ai qëndroi në Izrael për të shfaqur mbështetjen e Francës për Izraelin pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor. Vizita përfshiu edhe ndalesën në Ramallah, në Bregun e pushtuar Perëndimor, ku ai u takua me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

Macron në Egjipt tha se “nuk mund të ketë standarde të dyfishta… ligji ndërkombëtar vlen për të gjithë”.

“Të gjithë viktimat meritojnë dhembshurinë tonë, përkushtimin tonë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se beson se Izraeli do të bënte një gabim me një pushtim masiv tokësor të Gazës. Paralajmërimi erdhi ndërsa Macron ishte në Kajro për bisedime me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, i cili gjithashtu bëri thirrje që të shmangej një pushtim tokësor i territorit palestinez.

“Franca njeh të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur. Sa i përket ndërhyrjes tokësore, nëse ajo drejtohet tërësisht kundër grupeve terroriste, është një zgjedhje legjitime, por nëse është një operacion masiv që do të rrezikonte popullsinë civile, në atë rast mendoj se është do të ishte një gabim për Izraelin”, u tha Macron gazetarëve.

Ai shtoi se “do të ishte gjithashtu një gabim për Izraelin, sepse nuk ka gjasa të ofrojë mbrojtje afatgjatë dhe sepse është i papajtueshëm me mbrojtjen e popullsisë civile ose respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe rregullave të luftës”.