Haim Garon, ish zv/drejtor në Ministrinë izraelite të Komunikacionit, është një prej viktimave të aksidentit të mistershëm ajror në Greqi, ku humbën jetën të paktën dy persona.
Jerusalem Post thotë se Garon ishte një dëshmitar kyç në procesin gjyqësor kundër ish kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për korrupsion. Avioni i vogël Cessna 172 u rrëzua pranë ishullit të Samos, në detin Egje, pasi sic thuhet, hasi në një problem teksa i afrohej aeroportit.
Trupat e dy viktimave të nxjerra nga avioni janë ato të Garon dhe bashkëshortes së tij, Esti. Haim ishte dëshmitar i prokurorisë në gjyqin kundër Netanyahut, megjithatë vdekja e tij nuk e pengon procesin, ku organi i akuzës mbështetet edhe në dy dëshmitarë të tjerë të rëndësishëm po nga industria e komunikacionit, Shlomo Filber dhe Avi Berger.
Nuk është ende e qartë natyra e problemit që hasi avioni, në bordin e të cilit nuk udhëtonin pasagjerë të tjerë veç Garonit dhe të shoqes. Procesi gjyqësor ndaj Netanyahut rinisi në Jeruzalem pas një pauze 3 mujore. Akuzat ndaj ish shefit te ekzekutivit izraelit përfshijnë mitmarrjen, mashtrimin dhe shkeljen e besimit.