Tre urdhër-arreste janë kërkuar nga SPAK dhe firmosur nga GJKKO për tre persona të akuzuar që tentuan të korruptonin një vendim gjyqësor.
Mes tyre është edhe një oficer i policisë gjyqësore, i quajtur Fatbardh Lala, ndaj të cilit është lëshuar udhër-arrest. Por ai nuk është mundur të arrestohet, pasi mësohet se është larguar nga Shqipëria dhe ndodhet në SHBA prej disa muajsh.
Ndërsa dy personat e tjerë të arrestuar janë Ermir Llagaçi dhe nëna e tij T.Llagaçi.
Sipas SPAK, ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova dhe fakte se OPGJ Fatbardh Lala ka marrë përsipër të ushtrojë ndikim dhe ka pranuar shumën monetare të dhënë nga shtetësja T. Llagaçi (që rezulton të jetë më shumë se 50.000 lekë), tek Prokurori i çështjes me të pandehur Ermir Llagaçin dhe tek gjyqtari i çështjes.
Ndërkohë Ermir Llagaçi dhe T. Llagaçi duke dhënë shuma monetare (rezulton se ka dhënë më shumë se 50.000 lekë) oficerit të policisë gjyqësore Fatbardh Lala pasi ky i fundit i ka siguruar se mund të ushtrojë ndikim te funksionarët publikë, sic janë në rastin konkret prokurori/gjyqtari që kanë patur në hetim/gjykim çështjen penale në ngarkim të Ermir Llagaçit, pavarësisht se ky i fundit, u dënua me burgim, pra pasoja e dëshiruar nuk ka ardhur dhe vepra penale nga ana e tyre konsiderohet e konsumuar.
Njëkohësisht Ermir Llagaçi i ka paguar avokatit S. A. shumën prej 300.000 lekësh, duke qenë në dijeni se një pjesë e kësaj shume parash konkretisht 150.000 lekë do të jepej nga ana e avokatit me qëllim që ai të ushtronte ndikim te gjyqtarët e Apelit, të cilët ishin tre, dhe secilit do ti jepej shuma prej 50.000 lekësh.
Në vijim të hetimeve, u grumbulluan prova që krijuan dyshimin e arsyeshëm se oficeri i policisë gjyqësore ka konsumuar edhe veprën penale të dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Kjo pasi ai ka zbuluar të dhëna që përmbajnë aktet sekrete të një ose më shumë procedimi penal, dhe këtë informacion ai e ka disponuar duke aksesuar në zyrat e tij të punës si oficer i policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Këto të dhëna Oficeri i Policisë Gjyqësore ia ka transmetuar nënës së Ermir Llagaçit nëpërmjet telefonit madje duke rekomanduar se prokurorët duhen takuar.
Këto veprime janë kryer duke cënuar rregullin e punës së tij, duke cënuar sekretin hetimor në lidhje me çështjet në fjalë, përsa kohë që prokurorët e çështjes nuk kishin ndërmarrë veprime të hapura me shtetasin E. Ll., duke cënuar në këtë mënyrë funksionimin e rregullt të organeve të drejtësisë, dhe parimin e sekretit hetimor.