Aktualitet “Do merrja 50 milionë lekë, por nuk i mora asnjëherë”- Vrasësi i...

“Do merrja 50 milionë lekë, por nuk i mora asnjëherë”- Vrasësi i Sofisë ‘zbërthehet’ në gjyq: Planet e grupit

“Dajo” dhe “djali i ri”, janë dy nofkat që përdornin dy nga të akuzuarit për vrasjen e Behar Sofisë.

Ernejt Shyti, ekzekutori i biznesmenit, njëherazi bashkëpunëtor i drejtësisë ka dëshmuar këtë të premte para togave të zeza të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Si “Dajo” ai identifikoi shtetasin Skënder Vathi, ndërsa “Djali i ri” tha se thirrej Lonard Xhixha. Për Vathin tha se është takuar para ngjarjes tek terminali ndërqytetas i autobusëve pranë Qytetit Studenti, ndërsa ditën e ngjarjes nuk i kishte dalë në takim pranë liqenit artificial.

Shytaj foli edhe për dy vrasje të tjera që kishte përgatitur grupi, atë të një 34-vjeçari në Kamëz dhe të një tjetër shtetasi në Gjermani.

“Për asnjërin nuk kisha as emër as fotografi. Xhuljano Vishaj më kishte porositur por pa më dhënë detaje. Për vrasjen në Kamëz më kishte thënë që do e kryente vetë, ndërsa atë në Gjermani do e kryeja unë përkundrejt 500 mijë eurove”.

23 ditë ka zgjatur vëzhgimi i Behar Sofisë nga Ernejt Shytaj, madje tregon edhe një episod konkret.

“Disa ditë para ngjarjes, e kam ndjekur Behar Sofinë nga Piramida deri tek ish-ekspozita. E identifikova por nuk e kreva dot vrasjen. Atentatin ndaj Behar Sofisë e bëra për 50 milionë lekë, paratë nuk i mora asnjëherë, pavarësisht se Xhuljano Visha më kishte thënë se do ti merrja 3 ditë pas ngjarjes. Bujar Lezën e kam takuar për biçikletën, me Xhuljano Vishën, më pas më ka pyetur edhe nëse do i ndërroja rrobat kur të kryeja ekzekutimin. Mësova se Bujari i kishte thënë Xhulios se edhe armën e kishte gjetur. Vrasjen më tha Visha do e bënte për hasmëri, por se për çfarë dhe nga kush ishte porositur nuk e di. Ditën e krimit, nuk mu shkrep arma, e mbusha dhe pastaj qëllova dy herë. Skënder Vathi do më merrte te Liqeni Artificial, por nuk erdhi. Kam ikur drejt Malit të Zi me vëllanë dhe Xhuljano Vishën, nuk kemi ndaluar askund as për të ngrënë. Për komunikim me anëtarët e grupit, kisha një telefon të markës “Iphone” që ma dha Xhuljano Visha të cilit ia ktheva dhe një “Nokia” që ma dha Leonard Xhixha. Ky i fundit, kur kam kryer vrasjen, ka qenë duke vëzhguar shenjestrën, kur kaloi te trotuari, më ka thënë se jam këtu afër dhe se po shkonte te lokali”.

Gjatë seancës, pati një ndërhyrje nga kafazi i qelqtë edhe Bujar Laze, i cili tha se dikush e ka mësuar bashkëpunëtorin e drejtësisë ta përmendi biçikletën dhe që sipas tij, Ernejt Shyti po e pranonte se nuk kishte njohje me Lezën.

Gjykata thirri të paraqiten në seancën e ardhshme 3 dëshmitarë, ndërsa po gjatë kësaj seance që do mbahet më datë 20 prill në orën 14:00, do të jenë të pandehurit që do të japin deklarimet e tyre. Ata janë Skënder Vathi, Xhuljano Visha, Leonard Xhixha dhe Bujar Leza.