E ndërsa në këtë periudhë, mijëra shqiptarë dyndeshin në Greqi për punë sezonale, tani situata ka ndryshuar shumë. Largimi i të rinjve shqiptarë drejt Gjermanisë apo shteteve të tjera në Europë e jo vetëm, është kthyer në një problem tejet serioz për vendin tonë, por në anën tjetër po shqetëson edhe grekët.
Media greke “Kathimerini” i ka kushtuar një shkrim largimit të punëtorëve nga vendet e Ballkanit në drejtim të Gjermanisë, duke u kthyer në një problem tejet serioz për bujqësinë në Greqi.
“Një ngricë do të na shpëtonte”, thotë me ironi Christos Giannakakis, nënkryetar i Unionit Kombëtar të Kooperativave Bujqësore në Greqi, duke lënë të kuptohet se në rast të dëmeve të shkaktuara nga kushtet e motit, ata do të dëmshpërblehen nga shteti, pasi në të kundërt nuk do të kenë mundësi të vjelin prodhimin.
Tashmë grekët kanë nisur të kërkojnë për punëtorë në shtete si Egjipti, Vietnami, India, Pakistani, Tajlanda, Kazakistani apo edhe Peruja e Ekuadori. Ata po kërkojnë kudo, përveç shqiptarëve, të cilët kanë mbajtur gjallë bujqësinë për gati 3 dekada.
“Grekët nuk punojnë në bujqësi. Njerëzit po largohen nga vendi i tyre për në Gjermani, Francë e Itali, aty ku marrin rroga shumë më të larta. Pse duhet të vijnë te ne. Bullgaria nuk ka punëtorë, po ashtu edhe Rumania, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ata kanë ikur në Europë dhe ne duhet t’i harrojmë. Nëse do të kemi fat, atëherë do të sjellin punëtorë nga Kazakistani dhe më pas nga vende të tjera në Azinë Juglindore”, shprehet Christos Giannakakis, nënkryetar i Unionit Kombëtar të Kooperativave Bujqësore në Greqi.
Tashmë, kalimi nga punëtorët e vendeve të Ballkanit tek ata nga Azia nuk pritet të jetë i lehtë dhe pa dhimbje për bujqësinë në Greqi. Giannakakis thekson se gjetja e punëtorëve nga vendet aziatike vështirësohet nga procedurat komplekse burokratike të sistemit grek.