Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë seancës që po zhvillohet për të diskutuar në lidhje me projektligjin për menaxhimin e Butrintit se mazhoranca do ta votojë atë. Ai i ktheu përgjigje akuzave të opozitës dhe tha se kanë qenë ata që kanë shkatërruar trashëgiminë kulturore të vendit.
Kreu i qeverisë mori si shembull stadiumin dhe i ftoi deputetët opozitarë që të shikojnë atje një finale europiane. Rama tha se opozita tashmë është peng i vetvetes dhe se “në lule të ballit ka damkën nga SHBA për korrupsion domethënës dhe minim të demokracisë”.
“Ju flisni akoma sot për trashëgimi, flisni akoma sot për vizion, flisni akoma sot për zhvillim e korrupsion. Ju që e keni damkën në lule të ballit nga SHBA për korrupsion domethënës dhe për minim të demokracisë dhe damkën e keni bërë flamur. Flisni për këtë gjëra sepse i mishëroni fund e krye. Aty në atë stadium s’duhet të shkelni po të keni fije karakter, por ju s’keni. Jeni të mirëseardhur që të vini atje të shikoni një finale europiane në stadiumin që e kthyet në delen e zezë dhe kombëtaren shqiptare e degdisët në emigracion. Ashtu do të jeni të mirëseardhur edhe kur të luhet Makbethi në Teatrin e ri Kombëtar. Siç u bë stadiumi do bëhet Teatri i ri Kombëtar. Të gjitha llojet aleancave që krijoni ju, aleanca për teatrin, aleanca për Butrintit, aleanca për stadiumin mbajeni me shëndet, sepse nuk i duhen dreqit. Rrotullohuni sa të doni, sa më shumë rrotulloheni aq më thellë zhyteni. T’ju rrojë flamuri me damkën në lule të ballit që e keni tani se gjë tjetër na ky vend ju s’keni ça merrni dhe këtij vendi s’keni ça i jepni. Ne do ta votojmë siç është ligji për Butrintit dhe do vazhdojmë t’i bëjmë gjërat siç i kemi bërë. Ju nuk merrni dot peng askënd dhe nuk mbani dot peng asgjë. Koha e pengmarrjes suaj ka marrë fund, ju tani jeni aty ku e keni merituar, pengu më i madh i vetvetes. Këtë deshët, këtë keni arritur. Tani rrini peng i vetvetes dhe të rroni vetë të gjithë bashkë”, u shpreh Rama.
Por Berisha tha se të gjitha fijet sa i përket Butrintit të çojnë tek “padrino” i të gjitha mega-aferave në këtë vend, duke iu referuar Kryeministrit Rama.
“Ai bord përbëhet i tëri nga njerëzit më të afërt të tij, përveç njërit. Hodges ka qenë këshilltar i Ramës. Zonja ministre ka marrë përsipër të qëndrojë 2 vjet sipas marrëveshjes. Mos e moho këtë se është një gjë shumë e rëndë. Që të gjitha fijet të çojnë tek il padrino, tek ti si padrino i të gjitha mega-aferave në këtë vend. Mos u fsheh pas fondit, as Hodges, as ministrisë se je vetë ti.
Sa i përket ndeshjes tani do ju them unë ju kur erdhi zv/presidenti i tha ndeshja anulohet. Po t’i sjell i tha Erion Velinë. “Mos ma përmend atë rrugaç”. Po pse i tha. Se këshilltari i tij i kishte nxjerrë të gjithë mesazhet që Erion Veliaj i kishte dërguar vëllait të Lefter Kokës”, u shpreh Berisha.