Kulturë “Do të doja më shumë në kohë tjetër”, cikël poetik nga Sokrat...

“Do të doja më shumë në kohë tjetër”, cikël poetik nga Sokrat Habilaj

Sokrat Habilaj

1. MARRËVESHJE

Ti më flisje drejt, ti më flisje pa ojna,
Kush do bëhet burri im, ti a një tjetër.
Duhet të më dojë më shumë se ta doja,
Në rregull pra, unë do të dua më tepër.

Kaq seriozisht ishe në të gjitha fjalët,
Herë ndihesha mirë, e herë ngushtë.
E sikur dashurinë ta kthesh mangët,
Do të dua më shumë, pa asnjë kusht.

Se thosha, në nisje ka dhe trille malli,
A ndoshta një grua e kërkon një pakt.
Po ç’merak ke tani që do të fle i pari,
E një grusht yje rrëmben nëpër natë?

Ashtu në gjumë mbi mua i shkërmoq,
Në ninullë drithëruese kthen heshtjen.
Si s’më kishe thënë se do bëhej yt shoq,
Burri që do ta doje më shumë se veten?

2. DO TË DOJA MË SHUMË NË KOHË TJETËR

Dikur më shumë mund të doja,
Po në dashuri nuk jam ngutur.
Prisja një tjetër kohë ndoshta,
Që të bëheshe dhe më e bukur.

Mund të doja sa të derdhja lot,
Kur hëna braktisi shtratin e saj.
Veshur nuse u shfaqe në portë,
Prapë thash mungon një detaj.

Mund të doja dhe pa kufi malli,
Kur si llavë më the:-Do të vdes!
Po pa pritur që të shuhej zjarri,
Nga dufi im e fshihja një pjesë.

Dikur mund të të thosha:-Ja tani,
Tej këtij malli mbaron gjithçka,
Kur më ribëre dy herë si perëndi,
Prapë unë thash:-Të pres dhe ca!

Ndoshta prita thinjat kaq gjatë,
Se ajo dashuri që e lash pezull.
S’ishte grua që zhvishet në çast,
Po ankth që zgjatë sa një shekull.

3. RRËFIM PËR VETEN

Është bërë kaq e trishtë të jetosh,
Po edhe të vdesësh s’zgjidh asgjë.
Sa ikën, pyesin:-La ndonjë borxh,
A luftërat që nisi, u shuan me të!?

Borxhe nga unë mos prisni më pas,
Se cent në cent do t’i marr në dhè.
Para se të më gozhdoni nën rrasë,
Edhe gjurmët e luftës do t’i fsheh.

S’jam nga ata që borxhet s’i kthej,
E të ngre supet se i gjeta më herët.
Luftërat që nuk i ndoqa dot më tej,
Do digjem me to,si lë për të tjerët.

Dhe po mbeta ndonjë borxh diku
Skeletin tim vë peng, ta heq qafe.
Luftërat e mia s’patën lidhje me ju,
I dal zot çdo humbje, a çdo disfate.

Kur me borxhet dhe luftërat të iki,
Dikur edhe ju do ndiheni ngushtë.
Por çdo borxh është i juaji, i gjithi,
Vetëm e juaja është edhe çdo luftë.

4. UNË DHE TI

Nuk ndodh më që sherre e zënka,
Të them se i mbaj vetë mbi supe.
E ty s’të ruaj, mos të zënë brenda,
As përgjërohem të ikësh më tutje!

Unë s’jam më ai tipi, tipi kryeneç,
Që donte vetëm t’i mbyste mëritë.
As ti s’rri dot pa mua, e ndarë veç,
S’ka vend në mes të ngre një pritë.

Ti s’je më si ishe, as unë s’jam më,
Po në sherr sërish kapemi në çark,
T’i mbaj vetë sherret!? Ty ku të lë?
Lutem të ikësh? Ikim të dy bashkë!

5. GRATË QË NJOHA

Të kam thënë se gratë që unë njoha,
Ishin të gjitha grimca kristali në eter.
Të lumtura ishin, të trishta ndoshta,
Ndoshta, askush s’i lexoi asnjëherë.

Të gjitha, të gjitha pa asnjë mungesë,
Ndiheshin të plota me burrin përbri.
Në ndodhte që ata i prisnin në besë,
Askush nuk mendoi të bënte tradhti.

Gratë që njoha, këto lumturi pa cak,
A thjesht këto hënëza që s’bëjnë zë.
-Ndiheni të lumtura, i pyeta një çast,
-Jam e vetmuar!- thanë një nga një.

Gratë që njoha, ndoshta qenë dhimbje,
-Po ti, ndihesh vetëm?- pyes së koti.
Ti më buzëqesh.-Mos pritë përgjigje,
Ai që i pyeti, nuk ishte bashkëshorti!

6. NAIROBI, GUSHT 2019

Në një tavernë nate, unë dhe ti,
Po trokasim gotat me dy negër.
Gruaja përballë thotë:-Dua të pi,
E të deh dy njerëz ngjyrë tjetër!

Ne jemi të zinj, thotë dhe qeshë,
Po ti dyshon në ca grimca flirti.
-Këtë ngjyrën tuaj se mora vesh,
Unë i bie shkurt:-Ngjyrë meiti!

-Ne jemi një natë e butë Afrike,
E dy pika vere i ndrijnë në gju.
-Ngjyra juaj më duket shpikje,
-Meit, meit, -them unë kuturu.

-Meit!,-thotë pa kuptuar asgjë,
E kur qeshë duket si një shpirt.
Ndërsa i trokasim gotat me të,
Më thotë:-Dua të puth një meit!

Më del para një pirg, një rrasë,
-M’u hiq!- i them, bërë më dhè.
Po ti thua:-Meit s’ka kthim pas,
Ndërsa asaj i thua:-Ja ku e ke!

Papritur burrit në gjunjë i ulet,
E hëna djegë si diell gjysmak.
-I do dhe më të zjarrta puthjet?
Bëju meit, të paktën një çast!

Në një tavernë nate, unë dhe ti,
Po trokasim gotat me dy negër.
Gruaja përballë thotë:-Dua të pi,
E të deh dy njerëz ngjyrë tjetër!

Unë shoh sytë e tu, si nata e saj,
Ti prapë thua:-Ke grimca flirti!
Në këtë natë Afrike në një skaj,
Vërtet që i falen trillet një meiti!

7. ASKUSH SI TI

Mjaftoi një muaj, një vit ndoshta,
Që të të thosha pa menduar gjatë.
Unë të kërkova ndryshe nga bota,
Po dhe ti ke trille si të gjitha gratë.

Dhe ti provon sa fustane, aq stile,
Kur ke për të dalë me mua përbri.
Unë s’të bëj asnjë pyetje pa lidhje,
-Kaq e bukur për cilin je bëre ti?

Dhe ti nuk del me mua në një kohë,
-Pritëm një minutë!- thua me ngut.
Kur pas një ore ngjitem që të shoh,
Prapë lutesh:-Të thash një minutë!

Dhe ti i bënë flokët dhe kaçurrelë,
E parfumin që pëlqej unë, u hedhë.
Më pas, në çast ti shpikë një sherr,
Dhe nervat e mia, nisë m’i dredhë.

…Duhet të prisja me vite ndoshta,
Kur frymë të bëheshin trillet e tua.
Vërtet je si gjithë gratë që ka bota,
Po sa ti, nuk më deshi asnjë grua!

8. DUKE PRITUR NJË DASHURI

-F-
Unë, në dashurinë time të madhe,
Kurrë nuk u dhashë i tëri pas saj.
E ty s’të thash asnjë gjysmë fjale,
Për mallin që e ruaja në një skaj.

As ti s’më pyete, as i dhe rëndësi,
Faktit pse burrat fshehin grimca.
Unë ndoshta prisja tjetër dashuri,
Që do ishte ndryshe nga të gjitha.

Ndoshta dhe prisja një kohë tjetër,
Unë pra, burri që s’i njoh dredhitë.
Të më shfaqej një dashuri ja si kjo,
T’i shkundte me themele dashuritë.

Dhe pasi ma shkundi kohën që iku,
Erdhi pranë dhe pa pyetur askënd.
Dha urdhër pa j’u dridhur qerpiku:
-Shtyhuni më tutje! Më bëni vend!

9. ËSHTË VONË

Është vonë të heq dorë nga ca huqe,
E lodhjen nga vitet të gjej si shkak.
Unë do vazhdoj të të dua pa kushte,
Edhe nëse e di se ti më do më pak.

Është vonë që të bëj llogari të kota,
E për shorte burrash e grash të flas.
Ty të kam zgjedhur pa krijuar bota,
Gratë e tjera!? Ato erdhën më pas.

Është vonë që të kafshoj dhe buzën,
Kur them:-Ecë para meje jo përbri!
Ti je prijësja që më ndriçove udhën,
Unë putha gjurmët ku ke shkelur ti.

Është vonë të gjej imazhin e vjetër,
Ku burri fletë i fundit si në një lojë.
Ishe ti që m’i ktheve buzët në letër,
Po nuk shkrove ti, mbetem pa gojë.

Është vonë që si një djalosh të qeshë,
Si kur flisja për ty në një tjetër kohë.
Tani në më duhet një fjalë me peshë,
Citoj ty pa ndrojtje: :-E ka thënë ajo!

Është vonë t’i bindem pa mllefe fatit,
E ta lë zjarrin të shuhet bashkë me të.
Ti si varkë e bukur në buzë të shtratit,
-Je vonë,- më thua.-Ka orar çdo gjë!

10. KUSHTET E MIA

Ndoshta u nguta në mallin tim të parë,
Ja si tërë burrat që u pëlqen pak vetja.
Unë bëra një kërkesë, thjesht si zyrtar,
Ti do mbash mbiemrin tim në shkresa.

Gratë që do vijnë s’do e kuptojnë dot,
Po as ma ndjenë edhe sikur të kem faj.
Se malli për një burrë, është i paplotë,
Kur atij i mungon qoftë edhe ky detaj.

Ndoshta u nguta po më duhej një pakt,
Sa pashë në dy pjesë të ndarë zemrën.
Mendo po deshe:-Ke mbetur çunak!
Unë thash me shpirt:-Ma duaj nënën!

Gratë që do vijnë do të qeshin nën zë,
Me mua që ngatërroj gjërat në shpirt.
Kur të jenë mamkë do thonë tjetër gjë:
-Ikonat si shpikim, i bëjnë perënditë.

U nguta si në kontratë me laps e letër,
Në kohën time kur të shpalla dashuri.
Dhe sikur të të doja në një kohë tjetër,
Vetë do të të krijoja në s’gjeja një si ti!