Aktualitet “Do të flas live në Këshillin Bashkiak”, Veliaj del pas më shumë...

“Do të flas live në Këshillin Bashkiak”, Veliaj del pas më shumë se 5 orësh nga SPAK

Pas 5 orësh dhe 20 minutash, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dalë nga ambientet e SPAK.

Pasi ka lënë ambientet e SPAK, kreu i Bashkisë Tiranë nuk ka dhënë asnjë prononcim për mediat, teksa është shprehur se do të flasë në Këshillin Bashkiak.

“Do të flas live”, tha shkurt Veliaj.

Pak para se Veliaj të dilte nga SPAK, në ato ambiente u fut Belind Këlliçi, i cili është një nga përfaqësuesit e opozitës që ka ngritur më shumë akuza ndaj kreut të bashkisë së Tiranës. Megjithatë, është e paqartë nëse Këlliçi është thirrur në SPAK për të njëjtën çështje. “Pa merak. Unë jam përherë transparent. Do të futem edhe do t’iu njoftoi”, tha Belind Këlliçi në hyrje të SPAK.

Mësohet se Veliaj ka dhënë deklarime në lidhje me hetimin e regjistruar nga SPAK për veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.

Kujtojmë se pak ditë më parë, BKH me urdhër të SPAK i sekuestroi celularin gruas së Erion Veliajt, Ajola Xoxës, pas një kontrolli të zhvilluar në banesën e tyre, teksa kryebashkiaku nuk ishte në Shqipëri.

Dy ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi ankimin e bërë nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër vendimit që lejoi SPAK-un ta kontrollojë dhe sekuestrojë aparatin telefonik celular.

Në të njëjtin vendim Apeli rrëzoi të njëjtat pretendime të ngritura kundër kontrolleve nga vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj dhe dy kompani, ambientet e të cilave kaluan në filtrin e agjentëve të BKH.