pas “rebelimit” të guvernatorit
Nju Jorku, metropoli që cilësohet si kryeqyteti i botës, është shndërruar tashme në epiqendrën e pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.
Të infektuarit vetëm në këtë qytet shkojnë në të paktën 50 mijë dhe shifrat përditësohen çdo ditë me përqindje të frikshme.
Presidenti Donald Trump përmes një postimi në Twitter, propozoi dje që shtetit të Nju Jorkut, Nju Xhersit dhe Konektikat t’ i urdhërohej një periudhë karantine 14-ditore.
Por guvernatorët u “rebeluan”, madje guvernatori i Nju Jorkut Cuomo e deklaroi publikisht. ”Do të ishte sikur të na shpallej një luftë federale. Nuk besoj se ka baza ligjore. Thjesht do të panikonte popullatën, dhe kjo është e kundërta e asaj që duam”, deklaroi guvernatori që shpesh kundërshton presidentin.
Në mbrëmjen e të shtunës, Uashingtoni ndryshoi linjën e fortë dhe shndërroi karantinën e tre shteteve në një njoftim ku nuk këshillohet udhëtimi drejt këtyre destinacioneve për periudhën dyjavore.
Ndërkohë, në SHBA të infektuarit total kanë kaluar 121 mijë personat, dhe bilanci viktimave ka shkuar në 2043.