Kulturë “Do të jetonin në harmoni të plotë me shqiptarët” – Kur Shqipëria...

“Do të jetonin në harmoni të plotë me shqiptarët” – Kur Shqipëria propozohej të bëhej një atdhe për hebrenjtë

Tirana ne vitet 1920-30

Kur kanë ardhur hebrenjtë në Shqipëri?

Popullsia hebreje u shpërnda që në antikitetin e vonë në trevat e Perandorisë Romake.

Në mesjetë dokumentohen të paktën që nga shek. XIII në qytetet shqiptare, si në Durrës, Vlorë, ku dallohen nga tiparet e tyre etniko-fetare.

Në fund të shek. XV grupe hebrenjsh të degës mesdhetare sefardine të ndjekur nga inkuizicioni spanjoll dhe portugez, u strehuan në Shqipëri, kryesisht në kohën e sulltan Bajazitit II.

Ata krijuan në Vlorë, Artë dhe Prevezë bashkësitë e para e më vonë edhe në Berat, Janinë, Elbasan, Shkup, Prizren, Manastir etj.

Hebrenjtë merreshin kryesisht me tregti.

Bashkësitë e tyre në Shqipëri krijuan si kudo institucionet fetare e administrative-gjyqësore të veta. Në qytete jetonin në lagje të veçanta.

Në shtetin shqiptar nuk ka pasur diskriminim ndaj tyre, siç ka ndodhur në shumë shtete të tjera të Ballkanit dhe të Evropës Perëndimore.

Gjatë Luftës II Botërore jo vetëm hebrenjtë vendas, por edhe të huajt, populli shqiptar i strehoi, i mbrojti dhe i shpëtoi nga nazistët.

***

Kur Shqipëria propozohej të bëhej një atdhe për hebrenjtë

Në vitin 1935, gazetari hebre nga Britania, Leo Elton, udhëtoi për në Shqipëri, me sa duket me iniciativë personale, për të parë nëse ishte e mundur të vendosej aty një entitet kombëtar hebre.

E vetmja provë mbijetese e këtij udhëtimi ka mbetur raportimi i tij 10 vjet më vonë tek Judah Leib Magnes, presidenti i parë i Universitetit të Hebrenjve.

Ai i tha Judah Magnes se ‘Shqipëria ishte vendmbrojtje ideale për hebrenjtë dhe eventualisht mund të bëhej atdhe i tyre’

Dokumenti pushon në Arkivin Qendror për Historinë e Popullit Hebre në kampusin e Universitetit në Jerusalem.

Udhëtimi i Eleton ishte nxitur nga persekutimi në rritje i hebrenjve-gjermanë dy vjet pasi po udhëhiqte regjimi i nazistëve dhe nga refuzimi i Britanisë për të rritur numrin e hebrenjve në tokat që atëherë njiheshin si Palestina e Mandatuar (nga Liga e Kombeve) dhe që kontrollohej nga Britania e Madhe.

Elton shkruan se së pari lexoi për këtë ide në një gazetë britanike që raportonte se qeveria shqiptare i mirëpriste hebrenjtë edhe në atë kohë.

Kështu, ai udhëtoi për në vendin e vogël me rreth një milion banor, që ishte krejtësisht i shkëputur nga Evropa e Industrializuar.

Një ministër i qeverisë i kishte thënë se “në Shqipëri intoleranca fetare ishte diçka e panjohur… myslimanët e Shqipërisë nuk ishin fanatikë”.

Ministri kishte theksuar gjithashtu se ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, Shqipëria nuk kishte histori të antisemitizmit.

“Nuk ka kurrfarë arsye që hebrenjtë që do të vendoseshin këtu nuk do të jetonin në harmoni të plotë me shqiptarët”, shkruante Elton.

Opsioni për të zgjedhur Shqipërinë kishte edhe avantazhe ekonomike.

Toka ishte jashtëzakonisht pjellore, dhe nëse do të përdoreshin teknikat moderne të bujqësisë, lehtësisht mund të plotësonte nevojat e 5 milionë banorëve.

Portokajtë dhe limonët, shkruante Elton, ishin më të mirët në botë, dhe suksesi i hebrenjve në kultivimin e portokajve më parë mund të përsëritej lehtësisht në Shqipëri.

Të tjera sugjerime përfshinin kultivimin e bimës së cigares, krimbave për mëndafsh dhe ndërtimi i industrisë së tekstilit dhe vajrave.

Një anë më pak pozitive, sipas Elton, ishte që kryeqyteti Tirana nuk kishte asnjë teatër dhe as salla koncertale.

“Besoj se nëse pionierët që do vinin dhe do të ishin të duhurit, do të arrini jo vetëm prosperitet material shumë shpejt, por edhe respektin dhe dashamirësinë e shqiptarëve”, shkruante Elton.

Ai thoshte se “në harkun e vetëm disa viteve, jo qindra, por mijëra hebrenj nga të gjitha fushat, do t’i përcillnin të parët që do vinin”.

Si fillim, Elton rekomandonte krijimin e një entiteti kombëtar hebre në Shqipëri siç është ai në Palestinën e Mandatuar, me bashkëpunimin e lëvizjes sioniste.

Më vonë Shqipëria do të kthehej në shtëpinë e kombit hebre.

Nuk është bërë asnjëherë e ditur çfarë saktësisht ndodhi me këtë ide, nëse u diskutua ajo nga autoritete zyrtare dhe nëse iu kthye ndonjëherë përgjigje Elton-it.

Hadassah Assouline, drejtor i arkivës, thotë se letra e Elton me gjasë ka shkuar në Universitet në vitin 1945 në kohën e problemit të refugjatëve në Luftën e Dytë Botërore.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, përshtypja e Elton për dashamirësinë shqiptare rezultoi e vërtetë, Shqipëria ishte pothuajse i vetmi vend që i strehoi, mbrojti dhe mbajti gjallë të gjithë hebrenjtë që ishin strehuar përkohësisht.