Në emisionin “Open” në Top Channel, të ftuarit në panel lanë qartësisht të kuptohej se do të kenë negociata dhe madje nxorën edhe dy emrat e parë.
Sipas tyre, negociatat do të jenë fillimisht me nivelet e dyta, duke thënë se Taulant Balla dhe Gazmend Bardhi do të jenë të parët që do hedhin hapat për një marrëveshje të madhe.
Por, kur do të ndodhë? Askush nuk është në gjendje të përcaktojë afatin kohor, duke e lidhur gjithçka me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
I ftuar ishte edhe deputeti Ervin Bushati, që tha se nuk ka krizë, mund të ketë ngërç por jo krizë, sepse askush nuk ia ka fajin Partisë Demokratike.
Ndërkohë, Paskal Milo tha se Partisë Socialiste duhet të lëshojë diçka, sepse opozita nuk mund të vijë të ulet në gjunjë, ndërsa shtoi se kërkesa për largimin e Ramës është absurditet i Bashës dhe opozitës.
I pyetur nëse duhet të ketë një takim Rama-Basha ai tha se nëse ndodh, kjo do të jetë fatkeqësia e radhës politike.
“Nëse ndodh do jetë fatkeqësia politike e radhës. Vitet kanë treguar se kur ndodhin takime të tilla që vendosin dy njerëz për fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe kur nuk ka transparencë, atëherë dihet se do riciklohet një krizë në të ardhmen”, deklaroi Milo.
Ndërsa Agron Duka, një prej aleatëve të kryedemokratit hodhi poshtë çdo mundësi se mund të ketë një tjetër takim Rama-Basha. Sipas Dukës, zgjidhja e krizës po rëndon mbi qytetarët, por ai ka shpresën se gjithçka do zgjidhet një ditë.
“Do zgjidhet kriza një ditë. Nuk e di se kur do të zgjidhet, Sa më shumë vonohet zgjidhja e krizës, aq më shumë kosto paguan popullit.
Basha dhe Rama nuk ulen në tryezë. Zgjidhja duhet të jetë më afatgjatë dhe kjo nuk bëhet kokë më kokë Rama dhe Basha. Unë them që nuk bëhet”, deklaroi Duka.