Në orët e para të mëngjesit të sotëm vendi u përfshi nga një stuhi e fortë ere me reshje të shumta shiu. Lidhur me ditët në vazhdim, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se reshjet e shiut do të vazhdojë edhe nesër, por do të jenë lokale dhe kryesisht me intensitet të ulët.
Njoftimi i Shërbimit Meteorologjik Ushtarak:
Vendi ynë gjatë pjesë së parë të ditës u ndikua nga kalimi i një fronti të ftohtë atmosferik shoqëruar me reshje shiu në formën e shtrëngatave dhe stuhive. Sasia më e lartë e reshjeve u regjistrua në qytetin e Lezhës me 23.0mm pasuar nga qyteti bregdetar i Vlorës me 21.2mm. Deri në fund të ditës moti do të jetë me kthjellime si dhe alternime vranësirash kalimtare të cilat do të shoqërohen me reshje shiu të dobta dhe lokale.
Për ditën e Enjte vendi do të vijoj të jetë nën ndikimin e kushteve jo të qëndrueshme atmosferike. Moti do të jetë kryesisht me kthjellime por kryesisht pas orëve të mesditës edhe vranësira mesatare deri dhe të dendura. Këto vranësira do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave dhe stuhive. Lokalisht reshjet me intensitet deri të lartë në formë rrebeshesh.
Era do të fryjë e lehte me shpejtësi 1-10m/s nga kuadrati i veriut kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore. Temperaturat në vlerat e mëngjesit parashikohen nga 16°C në zonat malore deri në 19°C në ato të ulta e bregdetare. Në vlerat e mesditës ato parashikohen nga 26°C në zonat malore deri në 32°C në ato të ulta.