Ka përfunduar pa vendim edhe mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve, pavarësisht ideve të hedhura nga anëtarët e këtij forumi, sërish nuk është marrë asnjë vendim.
Sipas burimeve, Lulzim Basha nuk ka shkuar me alternativa në këto takime të ditës së sotme, se si duhet të vijojë beteja politike dhe ligjore, por vetëm u ka bërë një ekspoze të asaj qe ka ndodhur.
Në dy takimet janë diskutuar disa opsione, që nga krijimi i një partie të re e deri tek dërgimi i çështjes në Gjykatën e Lartë përsëri.
Pas përfundimit të mbledhjes edhe me Kolegjin, Basha foli shkurt para mediave.
“Nuk ka dhe nuk ka pasur një bashkëpunim me Ramën, ai e ka kuptuar që kundërshtar të parë serioz ka pasur Lulzim Bashën. Një gjë po u them, partneriteti ynë është me qytetarët. Është standard, jo retorikë. Në takime tona, ka një ndjesi të përligjur të padrejtësisë së tyre.
Nuk i trembem asgjëje fiktive, logo vula dhe as karrigia nuk të bëjnë demokrat më të mirë. Të bën përballja me korrupsionin, me keqqeverisjes.
Po konsiderojmë rekursin, ka një vendim juridik që vendimi është i padrejtë dhe i pabazuar. Angazhimi ynë është për një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri që meriton më shumë. Strukturat janë në një mendje, për Shqipërinë më të mirë dhe jo për orekse personale”, tha ai.