Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë.
Presidenti Begaj falenderoi ambasadoren Kim për kontributin e dhënë në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë gjatë mandatit të saj në Shqipëri.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj vlerësoi rolin dhe angazhimin domethënës të ambasadores Kim në avancimin e rReformës në Drejtësi, në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si edhe të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Kreu i shtetit vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë të ambasadores Kim me institucionet shqiptare për nxitjen dhe koordinimin e bashkëpunimit mes agjencive të specializuara të dy vendeve për çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë, me fokus të veçantë në atë kibernetike.
Duke çmuar marrëdhëniet njerëzore që ambasadorja krijoi me shqiptarët në të gjitha krahinat e vendit, Presidenti Begaj shprehu besimin se ambasadorja Kim do të mbetet një mike e mirë e shqiptarëve dhe gjithmonë e mirëpritur në Shqipëri.