Ashpërsohen përsëri tonet mes Ankarasë dhe Athinës dhe këtë herë, kritikat hapur dhe me tone jo të qeta, i ka bërë drejtpërdrejt presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.
Presidenti i Turqisë Erdogan ka sulmuar drejtpërdrejt Kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis lidhur me dialogun që po zhvillohet mes dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve.
Në një mbledhje me anëtarët e partisë së tij, Erdogan ka paralajmëruar Mitsotakis që të mos provokojë, ose “do të njohë zemërimin e turqve”.
“Unë deklarova që mund të takohem me Mitsotakis. Nëse kërkoni paqe, atëherë mos na sfidoni. Ne thamë që duhet të fillojnë kontaktet e para, dhe ato filluan javën e kaluar në Stamboll, dhe tani Mitsotakis është përsëri provokues. Ju uleni në tavolinë dhe pastaj ngriheni e largoheni. Duhet të mësoni të njihni kufijtë tuaj. Është e qartë se çfarë po bëni me ishujt. Nuk do të përfitoni nga ata që ju besoni. Çfarëdo ndihme që të keni, duhet ta dini se Turqia është në këmbë dhe do të bëjë gjënë e duhur. Do të mësoni mirë për çmendurinë e turqve”, tha Presidenti turk Erdogan.
Në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, qeveria turke ka kërkuar nga Greqia që të çmilitarizojë 16 ishujt grekë.
Të hënën, liderët e Greqisë dhe Qipros thanë se do të njohin e pranojnë një marrëveshje paqeje për ishujt në Mesdhe, bazuar vetëm mbi rezolutat e Kombeve të Bashkuara, duke refuzuar hapur dy formulat shtetërore, të mbështetura nga Turqia dhe qipriotët e Turqisë.
“Kur shihni deklaratat e fundit të autoriteteve greke dhe qipriote greke, shihni se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim në qëndrimin e tyre, duke shpërfillur totalisht qipriotët turq. Nuk ka më zgjidhje të ofruar vetëm nga një palë, por vetëm zgjidhje dy shtetërore, ju pëlqen juve apo jo”, shtoi presidenti turk.
Erdogan mohoi çdo lajm për një takim të mundshëm mes tij dhe Mitsotakis, pavarësisht se palët do të takohen përsëri në mars, në prani të zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara.