Kylian Mbappe do të qëndrojë te PSG këtë sezon. Ekipi parizien ka kthyer mbrapsht të gjitha ofertat që ka marrë nga Reali i Madridit gjatë muajit gusht dhe lojtari do ta vazhdojë karrierën në kryeqytetin francez. Sipas “Le Parisien”, talenti 22-vjeçar ka refuzuar një ofertë të fundit rinovimi të propozuar nga drejtori sportive Leonardo, që ishte e pakundërshtueshme në aspektin ekonomik.
Gazeta parisiene thekson se oferta e fundit nga PSG për Mbapenë për të rinovuar kontratën ishte 45 milionë euro neto, domethënë një shumë që do të arrinte në 135 milionë euro nëse merren parasysh taksat e që do të përfshinte edhe një bonus astronomik për rinovimin, që nuk është dëgjuar më parë në futboll.
Edhe kjo ofertë, si ato të mëparshmet, është refuzuar nga sulmuesi 22-vjeçar. Nëse do të kishte pranuar, ish -lojtari i Monacos do të ishte bërë lojtari më i paguar në skuadër, duke mposhtur Messin dhe Neymarin.
Kylian Mbappé do të jetë i lirë të negociojë me çdo ekip nga 1 janari. Al Khelaïfi ka katër muaj kohë për ta bërë lojtarin të ndryshojë mendje. Edhe pse do të luajë edhe për një sezon te Parisi, synimi i tij mbetet largimi, me shumë mundësi drejt Realit të Madridit. Për momentin, Mbappé mbetet i vendosur në vendimin e tij për të mos pranuar asnjë ofertë rinovimi edhe nëse e vendos atë si më të paguarin e skuadrës.