Kryetari i Partisë Demokratike, në takimin me strukturat drejtuese të degëve 6, 13 dhe 16 të Tiranës, u shpreh se Rama dhe qeveria e tij miratoi një vendim me të cilin ka qëllim të prishë mijëra banesa në kryeqytet.
Kryedemokrati vijoi më tej se, drejtësia është një segment i Partisë Socialiste, duke iu referuar këtu vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që sipas Berishës, shkeli mbi veten në rastin e mandatit të ministres Olta Xhaçka.
“Sot jemi para një regjimi i cili ka humbur çdo legjitimitet të ekzistojë më tutje, për të cilin nuk më interesa qytetare, por interesa të pasurimit të tij dhe klaneve të tij. Vetëm dje Edi Rama dhe qeveria e tij, miratoi një vendim me të cilin ka qëllim të prishë 96 mijë banesa në qytetin e Tiranës. Ka qëllim të vendosë qytetin, troje e banesa në dispozicion të klaneve të drogës, oligarkëve të tij.
Pasi shfrytëzoi fatkeqësinë natyrore të tërmetit tërësisht për pasurimin e tij dhe klikës së tij. Ju jeni dëshmitar se si është shfrytëzuar në Kombinat kjo fatkeqësi, tani nuk i durohet më, nuk pret më. Tani autorizoi veten, i dha vetes ‘karta bianka’ për të prishur çdo banesë që ai e konsideron fitimprurëse, ndërtimin në atë troje fitimprurës për veten dhe suitën e tij”, tha Berisha.
Kryedemokrati theksoi më tej se “drejtësia është një segment i PS”, ndërsa vuri në dukje se “Gjykata Kushtetuese shkeli mbi veten për vendimin e mandatit të Xhaçkës”.
“Edi Rama dhe kjo qeveri duhet të largohen sa më parë. Ata kontrollojnë sot të gjitha pushtetet kanë shndërruar drejtësinë në degë të PS-së, një drejtori të ekzekutivit të saj. Asnjë shqiptar nuk pret më që e drejta e tij ti sanksionohet në një proces gjyqësor kur ai kërkon. Së pari do ti duhen 10-15 vite për tu gjykuar, duhet të paguajë qimet e kokës ryshfet për të afruar vendimin dhe pastaj aty fiton ai që paguan më shumë.
Kurrë ndonjëherë përveç diktaturës hoxhiste, drejtësia nuk ka qenë nën një kontroll të tillë. Ju e patë Gjykatën Kushtetuese. Qëndruam 4 vite pa gjykatë, tani që është plotësuar merr vendimet më antikushtetuese, më antiligjore në tërë historinë e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese para kësaj, nuk është se nuk kishte të meta e defekte, por tre mandate të qeveritarëve të lartë që kishin përdorur pushtetin për tu pasuruar vetë, ua hoqi pa koment, duke patur edhe funksione e lidhje të forta, por diktimi i Kushtetutës ishte i atillë që nuk lejonte vendim tjetër.
Kurse kjo gjykatë, duke shkelmuar mbi të gjithë precedentët, mbi veten e saj dhe Kushtetutën refuzoi të heqë mandatin e Olta Xhaçkës. Një ministre që bëhet vetë dhe kunatën investitor strategjik, por që mbrohet për korrupsionin e saj nga Edi Rama dhe Gjykata Kushtetuese. ‘Hakmarrja për drejtësi’ ka vrarë 17 shqiptarë të dokumentuara, të faktuara, ka 29 grabitje me armë. Sot ata u shpallën të pafajshëm nga gjykatat e kontrolluara nga Edi Rama”, tha Berisha.