Sezoni 2019 i Formulës 1 uli siparin me garën e së dielës në Brazil, ku sërish triumfoi Lewis Hamilton, që këtë sezon fitoi për herë të 6 në karrierë titullin kampion dhe tani është vetëm 7 fitore garash larg rekordit të Michael Schumacher.
Së fundi piloti britanik ka përfunduar në qendër të vëmendjes edhe për sa i përket të ardhmes së tij, pasi kontrata me Mercedesin është e vlefshme edhe për vitin 2020 dhe më pas Hamilton mund të zgjedhë vetë të ardhmen e tij.
Pak ditë më parë në Itali raportuan se Hamilton është takuar dy herë me bosin e Ferrarit John Elkann, për të negociuar një kalim të mundshëm të 6 herë kampionit të botës në skuadrën italiane.
Edhe vetë Hamilton nuk mohoi takimin me Elkann, duke thënë se gjithçka mbetet pjesë e privatësisë së tij, por pranoi se ka ardhur momenti që të diskutojë për të ardhmen e tij, duke qenë se i ka mbetur edhe një vit kontratë me Mercedes.
“Takimet e mia janë private madje edhe personat me të cilët ulem, ndaj nuk dua të komentoj më shumë. Megjithatë jemi një vit larg përfundimit të kontratës dhe ndoshta duhet menduar edhe për të ardhmen. Mua më josh ideja për të qëndruar te Mercedes, por të shohim, sepse ndoshta edhe Totio Wolf dëshiron të ndryshojë”, deklaroi Hamilton.