Ekonomi “Do të shkurtojë 73 herë distancën”, projekti i urës që do lidhë...

“Do të shkurtojë 73 herë distancën”, projekti i urës që do lidhë Velipojën me Ulqinin

Gjatë takimit në Ohër në kuadër të samitit të Ballkanit të Hapur, kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij malazez Dritan Abazoviç kanë prezantuar projektin e ri. Bëhet fjalë për një urë mbi lumin Buna (Bojana) që do të lidhë Velipojën me Ulqinin dhe do të jetë një projekt i përbashkët i dy qeverive.

Abazoviç është shprehur i lumtur për mediat për këtë projekt, teksa tregon se për këtë gjë ai ka diskutuar me kryeministrin Rama edhe në Tiranë.

“Jam shumë i lumtur për këtë projekt dhe kjo është diçka për të cilën folëm në Tiranë verën e kaluar. Tani jemi shumë afër fillimit të realizimit të kësaj ideje. Mali i Zi ka ndarë një pjesë të buxhetit të këtij viti vetëm për ndërtimin e kësaj ure. Ne do të nënshkruajmë një Memorandum Bashkëpunimi në të cilin do të specifikohen obligimet e të dyja palëve”, ka thënë Abazoviç.

Edhe kryeministri Edi Rama e ka konsideruar këtë si një projekt fantastik, teksa tha se ndërtimi i kësaj ure do të mundësonte një komunikim shumë më të mirë mes dy vendeve.

“Duhet të krijojmë një marrëveshje dhe të kuptojmë buxhetin total të njëri-tjetrit për këtë investim. Ne jemi pro dhe projekti është fantastik. Ura do të mundësonte një komunikim shumë më të mirë mes dy vendeve”, theksoi Rama.

Distanca aktuale ndërmjet Ulqinit dhe Velipojës është rreth 73 km dhe me ndërtimin e urës do të reduktohej në rreth një kilometër.

“Me projektin e urës se re do të kemi një distancë të shkurtuar 73 herë midis 2 zonave.

Ura do jetë 380 m me 3 harqe, është e kategorisë C1 dhe do përdoret për makinat, kalimtarët e biçikletat dhe do të ketë 2 korsi dhe pjesë të vendpushimeve.

Brenda 2 muajve do të jetë gati projekti dhe më pas procesi i buxhetimit dhe i prokurimit do të kërkojë 6 muaj, deri në qershor 2023, dhe mund të përfundojë brenda 18 muaj.

Do kushtojë 9 mln euro”, tha një prej përfaqësuesve të projektit, gjatë takimit të Ramës dhe Abazoviç.