Ish-kryeministri Sali Berisha ditën e sotme gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar foli lidhur me sesionin e ri parlamentar ku u shpreh se Partia Demokratike do të shumëfishojë përpjekjet dhe denoncimet.
“E nisim këtë sesion paralamentar, në sesionin e betejave më të fuqishme kundër këtij regjimi të damkosur në shkallë maksimale, në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Unë e kuptoj që për mënyrën si funksionon parlamenti, ai funksionon si një parlament cubash, hajdutësh dhe njerëz që nuk kanë, nuk njohin as ligj, as moral, as kushtetutë, as rregullore. Institucioni në të cilin të drejtat e deputetëve dhe për rrjedhojë të atyre që përfaqësojnë deputetët, shkelmohen çdo orë, çdo ditë. Parlament i cili është totalisht në funksion të regjimit të Edi Ramës, regjimit të krimit, drogës dhe vjedhjeve. Parë në këtë kontekst, është tmerrësisht e vështirë ulja në atë sallë, por detyrime më supreme ndaj zgjedhësve tanë, na detyrojnë ne që jo vetëm që të ulemi, por të shumëfishojmë përkushtimin tonë, të shumëfishojmë alternativën tonë për qytetarët shqiptarë dhe denoncimet në të gjitha drejtimet të këtij regjimi që kryesohet nga një njeri, sot më i diskredituari në Ballkan dhe Europë, pas Putinit dhe Lukashenkos.”
Ndër të tjera Berisha tha se Rama është turpi i shqiptarëve, pasi nuk pranohet nga dy kryeministra të vendeve fqinje.
“U vërsul i pari me tërbim duke i vendosur Kosovës sanksione dhe mendoi se Albin Kurtit i erdhi fundi dhe të organizojë funeralin politik. Mori atë që meritonte, mori turpin dhe shpërfilljen gjer në asgjësim. Organizoi turin Ballkanik, turin e vetëposhtërimit, turin e merituar të vetëposhtërimit. U përpoq të zëvendësonte Lajçakun dhe Eskobar dhe të dilte tani ky si ndërmjetësues ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve. Edi Rama është turpi i Shqipërisë, turpi i shqiptarëve. Çdo ditë që kalon është një mbulim turpi për ne. Është i vetmi kryeministër në rajon që nuk pranohet nga dy kryeministra të vendeve fqinj, që refuzohet në mënyrën më të merituar.”
Gjithashtu Berisha gjatë fjalës së tij u ndal edhe tek çështja Beleri duke u shprehur se ai është një i burgosur politik dhe se mbahet në burg me qëllim që t’i mbarojë afati 90 ditësh për të bërë betimin, si kryetar i bashkisë së Himarës.
“Ky shkelmon vlerat Europiane dhe pastaj thotë se policia dhe drejtësia ime e pavarur, më thonë këto gjëra. Mban në burg Fredi Belerin, absolutisht si të burgosur politik, vetëm e vetëm që të skadojë 90 ditëshi i afatit që ai të mos betohet si kryebashkiak i Himarës. Iu them atyre që besuan se të besosh nacionalizmin e Edi Ramës është si të besosh turpin. Dhe kini kujdes atë që ka thënë Niçja; se ky nacionalizëm është streha e fundit e horrave.”
Ish-kryeministri theksoi se: “Me fqinjët gjithmonë krijohen probleme, por problemet zgjidhen dhe nuk kanë shkuar ndonjëherë në atë që të na pengojnë apo lobojnë kundër, cilido që ka qenë në pushtet. Por tani me prevalimin e interesave mafioze të tij do të na vijnë.”