Një 31-vjeçare është vënë në pranga sot në Tiranë pasi ka përfituar plot 10 mijë euro përmes mashtrimit. Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se është shpallur në kërkim dhe bashkëpunëtori i saj.
Të dy, mësohet se i kanë marrë 10 mijë euro një shtetasi në Malësi të Madhe duke i premtuar se do e dërgonin në Kanada.
“Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Premtimi”. I morën 10 000 euro, një shtetasi, me anë të mashtrimit, vihet në pranga 31-vjeçarja, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i saj. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga një shtetas, për një rast të marrjes së parave me anë të mashtrimit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Premtimi”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetases A. Ll., 31 vjeçe dhe u shpall në kërkim shtetasi S. Gj., 34 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i kanë marrë shumën 10 000 euro, shtetasit B. Gj., 49 vjeç, banues në Malësi të Madhe, duke i premtuar se do ta ndihmonin atë që të shkonte në Kanada. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, bën me dije policia.