Gjykata e Posaçme konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Plarent Dervishajn, i ekstraduar pak ditë më parë nga Dubai.
Kjo masë sigurie ishte dhënë në mungesë ndaj Dervishajt me kërkesë të SPAK-ut, si një nga të akuzuarit për dy ngjarje të vitit 2005, vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt.
Në sallën e gjyqit, përmes avokatit të tij, Ilia Ilia, Dervishaj ka pretenduar se është sjellë në mënyrë ekstra ligjore në Shqipëri.
Sipas avokatit, klienti i tij është arrestuar në Dubai më 6 gusht dhe i është thënë se i rrezikohet jeta.
Ai është mbajtur disa ditë në gjendje arresti dhe më pas është hipur në një aeroplan drejt Rinasit, ku edhe është arrestuar.
“Në datën 6 Gusht më kanë ardhur në shtëpi dhe më kanë thyer derën Forcat Speciale të Dubait. Sjellja ime nga Dubai është rrëmbim personi, nuk kam lidhje me vrasjet për të cilat më akuzojnë. Forcat speciale të Dubait më thanë që më rrezikohet jeta nga një atentat. Më mbajtën 10 ditë në polici në Dubai dhe nuk më lejuan të flas me avokatin”, është shprehur Dervishaj në seancë.
Në lidhje me ngjarjet e 2005-ës Dervishaj ka mbajtur qëndrim mohues.
Ditën e djeshme, GJKKO miratoi një tjetër masë “arrest në burg” për Dervishajn për akuzat e ngritura ndaj tij për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja.