Aktualitet “Do të vini me ne”/ Ishte në makinë me Metën në momentin...

“Do të vini me ne”/ Ishte në makinë me Metën në momentin e arrestimit, Peca: Na tërhoqën zvarrë

Sekretari Organizativ i Partisë së Lirisë, Artemis Peca, i cili ka qenë në makinë me ish-Presidentin Ilir Meta në momentin e arrestimit të këtij të fundit, ka treguar se si e priti kreu i PL-së ndalimin e tij.

Gjatë një konference për mediat, Peca është shprehur se Meta nuk ka qenë i shoqëruar me eskorta, teksa ka shtuar se nuk ka pasur rezistencë nga ana e ish-Presidentit.

Gjatë fjalës së tij, Peca ka pretenduar se forcat policore i kanë tërhequr zvarrë, ndërsa thotë se sipas tij, ai dhe Meta vetëm i kanë pyetur se “çfarë kërkojnë prej tyre”.

Artemis Peca: Që ta dinë të gjithë, Ilir Meta nuk është frikacak. Nuk është si këta që lëvizin me eskorta nga frika. Meta nuk ishte në makinë me asnjë njeri tjetër dhe nuk ishte i shoqëruar me eskorta, nuk pati rezistencë, u tregua shumë i sjellshëm dhe shumë i edukuar. U kërkoi mandatin “ju lutem kush jeni ju, pse duhet të vij”. Ata në asnjë moment nuk dëgjonin fjalën e Metës. Ata vetëm tërhiqnin me forcë Metën dhe mua nga ana tjetër. Më pyetën mua se “kush je ti”. Ju thashë që jam “Sekretari Organizativ i Partisë”. Ju lutem i thashë “na tregoni se çfarë kërkoni”. Na thanë “do të vini me ne”. Na morën nga bluza dhe na tërhoqën zvarrë, ne nuk ushtruam asnjë lloj rezistencë.

Ndaj Metës rëndojnë tri akuza penale, për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim pasurie”.

Më poshtë momenti i arrestimit të ish-Presidentit Ilir Meta: