Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur këtë të mërkurë 71 kryetarët e degëve të PD-së. Basha u ka theksuar kryetarëve të degëve se Berisha nuk njeh asnjë organ zyrtar të partisë.
Sipas Bashës, lideri historik i demokratëve ka për qëllim që ta kthejë partinë në mburojë të tij përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kjo histori e përdorimit të demokratëve si mburojë e interesave personale të kujtdo merr fund njëherë e përgjithmonë. Kryesia e Partisë Demokratike votoi për mbledhjen e Kuvendit legjitim. Sali Berisha thotë se prapë nuk e njeh. Ku qëndron morali i statutit që me forcë ngre Sali Berisha? Çfarë po kërkon ai? Sali Berisha nuk e ka hallin te statuti. Ai nuk njeh asnjë strukturë të Partisë, sepse qëllimi i tij është që partia të shndërrohet në një mburojë të tij përballë Shteteve të Bashkuara. Pse nuk e përmend më Sali Berisha faktin me të cilin nisi foltoren, sepse nuk u votua në Kryesi? Sepse ky ishte një justifikim. Ja ku është vendimi i Kryesisë me 28 vota pro për mbledhjen e Kuvendit, dhe ai përsëri thotë s’e njoh. Është e qartë se sido që të merrej ai vendim, me çfarëdo votimi, Sali Berisha dëshmon se nuk do ta njihte. Sepse sot ai nuk njeh asnjë organ zyrtar te PD”, tha Basha.
Më tej, kërcënoi ish-kryetarin Sali Berisha.
“Do të bëjë Sali Berisha miting më 11 dhjetor? Apo mendon se do te ngrejë struktura paralele? Ka thënë që nuk e njeh Kuvendin e datës 18 si Kuvend legjitim. E kuptoj, asgjë legjitime nuk njeh Sali Berisha. Sepse qëllimi është ilegaliteti, bunkerizimi, destabilizimi i PD. Por, veprimet ilegjitime, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD-së e kanë përgjigjen në statut. Dhe do ta zbatojë statutin ndaj kujtdo. Kush shkel vendimin e Kryesisë së partisë, fatin e ka të caktuar nga statuti i partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën”, u shpreh Basha.
Basha u ka theksuar kryetarëve si detyrë kryesore që partia të dalë e bashkuar nga Kuvendi i 18 Dhjetorit. Sipas Bashës, qëllimi kryesor është vazhdimi i betejës kundër Ramës.
“Rama është kundërshtari ynë i përbashkët, pavarësisht çfarë mendojmë në këtë situatë që po kalojmë. Beteja me njëri- tjetrin nuk na çon askund. I shërben vetëm Ramës dhe patericave të tij, që po bëjnë gjithçka që beteja mes nesh të çojë në një ndarje të partisë. Ju jeni dëshmitarë të kësaj”, tha Basha.
Situata në Partinë Demokratike vijon të mbetet e paqartë. Sali Berisha ka njoftuar se Kuvendi do të mblidhet me 11 Dhjetor pas firmave që ka çuar në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, të mbi 4200 delegatëve. Por nga ana tjetër, Lulzim Basha ka thënë që më 11 Dhjetor mund të ketë tubim, por jo Kuvend.