Banka e Shqipërisë planifikon të tërheqë së paku 250 milionë euro nga tregu valutor vitin e ardhshëm. Në bazë të sasisë së monedhës europiane që do të futet në vend, blerjet mund të rriten deri në 330 milionë euro. Ky është niveli më i lartë ndonjëherë i planifikimeve që Banka Qendrore bën për të ndërhyrë në tregun valutor.
“Ka sinjale për një forcim të mëtejshëm të lekut. Për të ruajtur ekuilibrat, Banka e Shqipërisë ndërhyn duke tërhequr valutë nga tregu. Ky është mekanizmi”, tha Dritan Vakaj, kreu i Shoqatës së Agjencive të këmbimit Valutor.
Sipas kalendarit të Bankës Qendrore, ndërhyrjet në tregun valutor pritet të nisin në 16 shkurt për të vijuar në 15 dhe 26 mars. Blerjet planifikohet të përshpejtohen në muajt e verës me 6 ankande vetëm në muajt qershor e korrik. Me ardhjen e vjeshtës , Banka planifikon të realizojë nga një ndërhyrje për secilin muaj, për të përmbyllur blerjet në 19 dhe 20 dhjetor 2024.
“Pritet të hyjë më shumë euro si pasojë e turistëve, por edhe investimeve të huaj, remitancave apo eksporteve. Ndaj gjatë verës janë planifikuar edhe më shumë ndërhyrje”, shtoi ai.
Këtë vit Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu valutor rreth 290 milionë euro, përfshirë ankandin e fundit të zhvilluar të mërkurën. Ndërhyrjet e detyruara për shkak të zhvlerësimit me ritme jo natyrale të euros kanë zgjeruar në 5.7 miliardë euro rezervën valutore të vendit. Për vitin e ardhshëm ajo planifikohet të arrijë në 6.3 miliardë euro./A2