“Do votoj si të më dojë mendja mua”, kështu është shprehur kreu i grupit parlamentar të PS Bledi Çuçi sa i takon ‘urdhrit’ të Gjykatës Kushtetuese për t’i dërguar mocionin për mandatin e Olta Xhaçkës.
Sipas tij, votimi në Kuvend do kryhet në formë të pavarur sepse e lejon Kushtetuta.
“Nuk e di ca vendimi keni lexuar ju që thoni urdhëron. Në radhë të parë, të jemi të qartë pjesa urdhëruese, diapozitivi shfuqizon vendimet. Këtu është misioni i Gjykatës Kushtetuese, ka të drejtë të shfuqizojë çdo ligj, çdo nen që mendon se është në kundërshtim. Nuk krijon norma të reja juridike, e aq më tepër kushtetuese. Ajo është pjesë arsyetuese, ka 3 pjesë dhe janë pjesë e vendimit. Pra, ka 3 arsyetime. Të treja janë arsyetime kushtetuese. Padiskutim nuk ka asnjë vendim të GJK, që ne mos e kemi zbatuar. Padiskutim! Kur thotë shfuqizohen, nuk janë më në fuqi! Kur vjen puna te interpretimi është punë tjetër, si do ma zhbësh mua nenin 79 që citova kur më thotë se ti je i pavarur dhe s’ke përgjegjësi për votën?! Ky nen nuk është interpretuar nga GJK, ato që lexove ti janë opinione.”
Të gjitha debatet mbi çështjen i cilësoi “cic-mice juridike”.
“Prandaj dua të vij te interesi publik se këtu ushtrohet një e drejtë. Ore a ka konflikt interesi Xhaçka? Kushtetuta u jep të drejtë 1/5 të deputetëve që ta çojnë çështjen për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese, gjë që ka ndodhur. Kushtetuta thotë nuk mban përgjegjësi për votën, ke pavarësi për votën. Se po shkatërruam këtë, e kemi deformuar demokracinë.”
Në një vendim të datës 10 korrik, Gjykata Kushtetuese urdhëroi Kuvendin që të dërgojë menjëherë në “Kushtetuese” mocionin e deputetëve të opozitës për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka. Në një dalje për mediat, kryetarja Holta Zaçaj, i kujtoi Kuvendit se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit dhe se asnjë institucion tjetër nuk mund t’i vërë në diskutim. Për këtë arsye, “Kushtetuesja” njofton Kuvendin se duhet të zbatojë vendimin e saj pa asnjë vonesë, por socialistët kanë vendosur që të mos tërhiqen.
Mocioni ndaj ish-ministres u ndërmor nga opozita në qershor 2022 pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik dhe iu dha me vendim qeverie e drejta e përdorimit të brigjeve të detit para hotelit.