Vetën 7 muaj nga marrja e detyrës në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Arlind Gjokutaj është larguar nga ky post dhe është zëvendësuar nga Gjon Bardhi, i cili deri dje mbante pozicionin e zëvendësdrejtorit në këtë institucion. Arsyet e largimit të Gjokutajt mbeten të paqarta dhe e vetmja e dhënë që mund të lërë vend për interpretim është realizimi i planeve lidhur me të ardhurat në arkën e shtetit.
Treguesit fiskalë të 9-mujorit, të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë reflektonin një mosrealizim prej 4 për qind të planit të të ardhurave nga Doganat që i përgjigjet një shume prej 5 miliardë lekësh, kurse nga Tatimet, të ardhurat e munguara në raport me planin në 9-mujor ishin 2.2 për qind apo 2.5 miliardë lekë.
Gjokutaj u emërua në detyrë, në fund të marsit në të njëjtën kohë me Enton Duron te Tatimet por ky i fundit u largua në korrik të këtij viti, duke mbajtur pozicionin për vetëm tre muaj.
Kreu i Doganave, nga ana tjetër, vazhdoi punën duke bërë edhe disa dalje në kuadër të aksionit antiinformalitet të nisur nga qeveria dhe që Doganat e kishin me fokus te produktet e akcizës. Më herët Gjokutaj mbante pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave.