Dr. Stella Immanuel i ka kërkuar Facebook-ut që t’i rikthejë profilin së bashku me videot e saj të postuara aty. Përndryshe, ajo ka thënë se Zoti do shkatërrojë serverat e këtij rrjeti social.
Facebook hoqi videon ku doktoresha afrikane që punon në Teksas pretendon se hidroksiklorokina kuron koronavirusin. Kjo video u ripostua në Twitter nga Presidenti amerikan Donald Trump, përpara se klipi të fshihej nga administratorët e Facebook.
Pas kësaj, Immanuel shkroi në Twitter se Zoti shumë shpejt do ta shkatërrojë këtë rrjet social: “Përshëndetje Facebook! Ma kthe profilin dhe videon ose kompjuterat tuaj do të shkatërrohen. Nuk jeni më të mëdhenj se Zoti, ju betohem. Nëse faqja ime nuk kthehet, Facebook do të shkatërrohet në emër të Jezusit”.
Në videon në fjalë, doktoresha e preferuar e Trump sulmon “doktorët e rremë” që dyshojnë për efikasitetin e hidroksiklorokinës, para se të shtojë se njerëzit nuk kanë nevojë që të vendosin maskë.
“Nëse shkenca e rreme thotë se ka bërë studime dhe më pas shohin se studimi i tyre ka qenë i gabuar, unë them se kemi të bëjmë me shkencë të rreme. Kush e bëri studimin mbi hidroksiklorokinën? Sepse unë kam trajtuar 350 pacientë dhe askush nga ata nuk ka vdekur”, thotë 55-vjeçarja në video.