Sport Dokumentari i ri: Diego Maradona, një rebel, mashtrues, hero dhe zot

Dokumentari i ri: Diego Maradona, një rebel, mashtrues, hero dhe zot

A ishte futbollisti më i mirë në histori? Çmimi që pagoi për të qenë i tillë ishte shumë i lartë. Regjisori Asif Kapadia, fitues i çmimit Oscar, sjell dy anët e një njeriu, jeta e së cilit ishte e jashtëzakonshme dhe dramatike.

Në fund të muajit shtator në kinematë italiane do të shfaqet dokumentari “Diego Maradona”, që tregon për shkëlqimin dhe rënien e yllit argjentinas të futbollit. Regjisori Asif Kapadia, fitues i çmimit Oscar, sjell dy anët e një njeriu, jeta e së cilit ishte e jashtëzakonshme dhe dramatike.

Pasi u prezantua jashtë konkursit në Kanë, publikohet në kinema në datat 23, 24 e 25 shtator dokumentari “Diego Maradona”, që flet për yllin më të diskutueshëm në historinë e futbollit. Vetë titulli i zgjedhur tregon shumë për punën e fituesit të çmimit Oscar, Asif Kapadia: “Diego nga një anë dhe Maradona nga ana tjetër”. Regjisori prezanton “këmbën e artë” si një njeri me dy shpirtra. Nga njëra anë është njeriu bujar, i lumtur, i rritur në periferi të Buenos Aires, kurse nga ana tjetër është personazhi publik, kampioni, njeriu pa frena, ai që e ktheu në një mit dhe e drejtoi në rënie.

Për të rrëfyer Maradonën, Kapadai ka marrë disa intervista ekskluzive nga kampioni argjentinas dhe ka përdorur pamje nga një arkiv me më shumë se 500 orë filmimesh, që nuk janë transmetuar më parë. Pamje të rralla, private dhe sportive.

Diego ka një jetë të jashtëzakonshme dhe të tmerrshme. Kapadia e përqendron rrëfimin e tij në vitet e jetuara në Itali. Në jetën e tij të komplikuar dhe të mbushur me drama, Napoli mbetet pjesa më e rëndësishme. Parabola e jetës së tij përshkruhet më së miri në Napoli.

Rebel, mashtrues, hero dhe zot. Një yll absolut, por i paaftë për të menaxhuar një famë të tillë. Sipas regjisorit, mitet nuk bëhen vetë, por krijohen, lëshohen dhe ngadalë-ngadalë dobësohen nga vetë njerëzit. Parabola e dhimbshme e Diegos e çon brenda një kohe të shkurtër nga Zot në fushë, në ferr.

Çdo gjë nis në 5 korrik të 1984-ës, kur Maradona pritet në San Paolo nga 85 mijë persona. “Një nga qytetet më të varfra të Italisë ka blerë lojtarin më të shtrenjtë në botë”, do të shkruanin mediat e huaja. Më pas vijnë dëshmitë e ish-bashkëshortes, motrave të tij dhe ish-bashkëpunëtorëve.

Nga kjo del një figurë e Diego Maradona, që ndoshta është e njëjtë me atë që ka mbetur në zemrat e atyre që vazhdojnë ta duan: një person shumë i komplikuar, tërheqës, pasi është e kundërta e një shembulli të përsosur për një sportist dhe një burrë.

A ishte futbollisti më i mirë në histori? Gjithsesi çmimi që pagoi për të qenë i tillë ishte shumë i lartë, pasi asgjë nga ato që ndodhën më vonë nuk shkoi mirë. Kur përfundoi Maradona futbollist, ai që mbeti ishte vetëm miti…