Histori Dokumentet gjermane: Si të vriste Ahmet Zogu?

Dokumentet gjermane: Si të vriste Ahmet Zogu?

Faksimile e dokumenteve gjermane dhe Ahmet Zogu

Nga Marenglen Kasmi

Në dhjetëra mijëra faqet e dokumenteve për Shqipërinë që ruhen në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin (Politisches Archiv), në Fondin e Legatës Gjermane Tiranë gjendet edhe një dokument me titullin “E vërteta dhe krijimtaria shqiptare”, i cili daton në janarin e vitit 1933.

Në këtë dokument, konsullata gjermane raporton në Berlin për funksionimin e drejtësisë në shtetin shqiptar në periudhën e Monarkisë dhe konkretisht për mënyrën si mbreti Zog asgjësonte njerëzit e rrezikshëm. Siç do lexojmë më poshtë, vrasja e një banditi dhe shoqëruesve të tij nuk u bë as me ligj e as me kanun, por me dredhi.

E përmbledhur shkurt, bëhet fjalë për një bandit nga Mirdita, të cilin xhandarët nuk e kapnin dot. Kësisoj ishte e nevojshme të përdoreshin mënyra “më të stërholluara” për ta shtënë atë në dorë. Le të shohim më poshtë raportin e plotë.

***

Në gazetën “Besa”, në datën 23 janar 1933 u botua një njoftim zyrtar me titullin “Asgjësimi i një banditi të rrezikshëm mirditor dhe i katër shoqëruesve të tij”

Në gazetën “Besa”, në datën 23 janar 1933 u botua një njoftim zyrtar me titullin “Asgjësimi i një banditi të rrezikshëm mirditor dhe i katër shoqëruesve të tij”.

Në njoftim shkruhet:

“Ekzekutimi ndodhi gjatë një përleshje të ashpër me xhandarmërinë. Krimet e rënda dhe aktet barbare të gjakderdhjes që janë kryer në zonën e Mirditës dhe të Krujës nga banditi i njohur, i ashtuquajturi N. Gj. P. nga fshati Gojan i Mirditës, detyruan organet e sigurisë publike që të ngarkonin një person të aftë dhe të besueshëm për të arrestuar ose për të bërë të padëmshëm kriminelin. Bërja e tij i padëmshëm, rrjedhimisht do të bënte të padëmshëm ose do të çonte në arrestimin edhe të shoqëruesve të tij.

Për këtë arsye, në mënyrë sistematike u morën gjithë masat e nevojshme nga xhandarmëria, duke u kujdesur që asnjë pakujdesi e mundshme mos të rrezikonte aksionin.

Organet e sigurisë publike u informuan pardje (21 janar – M.K), që banditi i njohur së bashku me pesë shoqëruesit e tij do të lëvizte nga Kruja në rrugën pranë Barazanit [duhet të jetë Borizanë – M.K] me qëllimin e mundshëm të shkaktonte një gjakderdhje në ndonjë fshat tjetër.

Me një grup xhandarësh të përforcuar, qysh mbrëmë natën, u morën nën ruajtje gjithë vendet e mundshme të kalimit.

Në të gdhirë, krimineli në kërkim dhe katër shoqëruesit e tij të armatosur deri në dhëmbë u afrua pranë pritës së ngritur në rajonin e Krujës, në rrugën automobilistike në Borizanë.

Një e shtënë në ajër nga xhandarët shërbeu si thirrje që ata ishin të rrethuar. Ata menduan të largohen, por zjarri i armëve që u hap nga gjithë anët bëri të kuptojnë se kjo nuk ishte e mundur.

Filloi një luftë e ashpër. Banditi N. dhe shokët e tij ju përgjigjën zjarrit të xhandarmërisë me vendosmëri. Trimëria e N. dhe shokëve të tij është e njohur.

Beteja vazhdoi gjatë dhe luftimet u bënë mjaft kritike. Pas arritjes së përforcimeve, xhandarmëria e ngushtoi me sukses rrethimin derisa u vranë të pesë kriminelët, dmth. N.Gj.P dhe dy vëllezërit N. dhe F. MGJ nga Gjegjani i Mirditës dhe dy të tjerë të paidentifikuar.

Gjatë përpjekjes u plagosën dy xhandarë. Njëri mori plagë të rënda, ndërsa tjetri u plagos lehtë.

Ky kriminel ishte me nam në Mirditë dhe Krujë. Ai njihej për rrezikshmërinë, barbarinë si edhe për vrasjet cinike që kryente prej dy vitesh.

Para një viti, më 12.12.1931, ai u rrethua në befasi në shtëpinë e D. T nga Suli i Mirditës. Gjatë përpjekjes mbeti i vrarë xhandari A. L dhe u plagos rëndë xhandari P. N. Po ashtu mbeti i vrarë edhe i zoti i shtëpisë dhe u plagos një nga vajzat e tij. Ndonëse i plagosur rëndë, krimineli arriti të çajë rrethimin dhe të fshihej në pyll, ku arriti të shërohej me raki dhe mjete të tjera primitive.

Në listën e vrasjeve të tij janë të shënuara edhe shumë krime të tjera, si vrasja e tre grave të varfra, Mara e N. GJ dhe shoqja e një prej shoqëruesve të tij, Havaja e H. H dhe Prenda e Gj. F.

Ekzekutimi i këtij krimineli dhe shoqëruesve të tij do të gëzojë opinionin e përgjithshëm, sidomos në fshatrat përreth, të cilët vuanin nën terrorin dhe gjakësinë e tij.

Ky është një sukses tjetër i xhandarmërisë tonë. Këta djem i japin popullatës paqësore mesazhin që nuk do të ketë njerëz të këqij që i shpëtojnë dorës së drejtësisë.”

Pas variantit zyrtar të publikuar në gazetë, konsullata gjermane nën titullin “Ngjarja e ndodhur dhe përshkrimi i saktë i incidentit” jep versionin tjetër të ngjarjes si më poshtë:

“N. P kishte mbi kurriz shumë faje nga gjakmarrjet. Ndër të tjera, ai ishte edhe një komit i njohur dhe mik i kapedanit të Mirditës, Markagjonit, i cili është në gjak me Gj. F., që në këto momente gjendet në Romë. Me gjithë përpjekjet e xhandarmërisë, N. P. nuk kapej. Xhandarmëria arriti vetëm njëherë ta rrethojë atë në shtëpinë e D. T. Duke menduar se i zoti i shtëpisë e kishte tradhtuar, ai e qëlloi atë për vdekje dhe plagosi rëndë edhe vajzën e tij. Gjithsesi, ai arriti të shpëtonte nga rrethimi.

Atij iu premtua kalimi i sigurt dhe së bashku me dy shokë të tij u joshën të vinin në Tiranë. Për t’u treguar i kujdesshëm, ai mori me vete edhe dy mirditorë të tjerë, të cilët nuk ishin të përfshirë në krimet e tij.

Në emër të Mbretit ata i takoi  ministri Musa Juka, i cili duhet t’i ketë pritur me shumë përzemërsi. Ministri u dhuroi nga një revolver, çka është dhurata më e çmuar që Mbreti u bën miqve të tij. Po ashtu u dha edhe nga 200 franga secilit dhe u komunikoi që ishin emëruar oficerë rezervistë të ushtrisë. Dokumentet identifikuese të oficerit nuk ishin përgatitur ende dhe do t’u dërgoheshin më vonë në shtëpi. Po ashtu, ai u dha edhe një flamur të vogël me emblemën shtetërore, të cilin duhej ta vendosnin në automobil gjatë rrugës së kthimit, me qëllim që të mos ndaloheshin nga xhandarmëria apo kontrollet rutinë.

Mirditorët qëndruan disa ditë të pa shqetësuar në Tiranë dhe lejuan me kënaqësi të fotografoheshin.

Ndërkohë kopje të fotove të tyre ishin shpërndarë në komandat e xhandarmërisë. Komandanti i xhandarmërisë së Krujës, Abaz Kupi, mori urdhrin që t’i hiqte qafe ata gjatë rrugës së kthimit. Ky ishte një urdhër personal i Mbretit për Abaz Kupin. Flamuri duhej të shërbente si shenjë për të treguar automobilin.

Abaz Kupi urdhëroi shoferin e tij të shkonte në Tiranë dhe me automobilin e tij të vihej në dispozicion të pesë mirditorëve. Shoferët e tjerë të Tiranës u kërcënuan në fshehtësi të mos pranonin të udhëtonin me mirditorët në rrugën e kthimit. Mirditoret filluan të dyshonin rreth flamurit dhe, gjatë rrugës, njëri prej tyre e hoqi flamurin nga automobili dhe e futi në xhep, ku edhe e gjetën më vonë.

Makina ndaloi me t’u afruar në vendin e caktuar. Shoferit i duhej gjoja të ndreqte një defekt në motor dhe zbriti nga makina. Ndërkohë u shfaq Abaz Kupi i shoqëruar nga tetë xhandarë dhe tre ndihmës xhandarë dhe u kërkoi burrave të dorëzoheshin pa bërë rezistencë. Njëri nga mirditorët, nxori menjëherë revolverin e ri dhe shtiu dy herë mbi gjoksin e shoferit, i cili qëndronte anash makinës. Shoferi vdiq menjëherë. Abaz Kupi i plagosur nga një rikoshetë plumbi shtiu i pari. Po ashtu edhe xhandarët hapën zjarr mbi mirditorët e ulur në makinë. Pasagjerët hapën zjarr nga brenda makinës, por xhamat i ndryshonin trajektoret e plumbave. Ata morën menjëherë disa plagë. Megjithatë ata arritën të dalin nga makina dhe të vazhdojnë luftën ndonëse nuk kishin ku të mbroheshin, ndërkohë që xhandarët ishin shtrirë në pozicione në një biçim lartësie. Njëri nga mirditoret, ndonëse i plagosur rëndë, u afrua pranë një xhandari, e qëlloi me revolverin e tij dhe u mundua t’i merrte pushkën nga dora. Duke u lëkundur mirditori qëlloi edhe disa herë. Një tjetër, ndonëse kishte marrë disa plumba, arriti të largohej gati 200 metra, deri sa u godit nga një plumb në kokë.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit pati shtatë të vrarë dhe një të plagosur.

Për të fshirë gjurmët që binin në kundërshti me versionin zyrtar, automobili i bërë shoshë nga plumbat së bashku me shoferin e vrarë u dërguan menjëherë në Krujë.

Unë kalova në vendngjarje me makinë rastësisht ditën tjetër. Ishte e tmerrshme. Në rrugë kishte ende njolla të mëdha gjaku, ndonëse rruga ishte pastruar, por deri në një largësi prej 20 metrash mund të dalloje vendet ku kishte rënë gjaku i të vrarëve. Në vendngjarje ndodhej ende një lugë alumini, një kuti duhani, një qeleshe, një brez i kuq dhe një shami koke. Po ashtu, aty kishte edhe copa xhamash dhe në tokë ishin ende tapetet e brendshme të ndotura të makinës. Në anën tjetër të rrugës, 5-6 metër larg, toka ishte e shtruar me gëzhojat e qitura nga xhandarët.

Të pesë mirditorët u varrosën po aty një ditë më vonë, pasi erdhi komisioni ligjor. Ngjarja ndodhi më 23 janar 1933.

Gojët e liga thonë se varri i tyre ishte hapur para se të ndodhte ngjarja. Po ashtu, edhe artikulli i gazetës ishte bërë gati qysh më parë. Kjo është e mundur. Ngjarja ndodhi rreth orës 08.30 në mëngjes larg çdo telefoni të mundshëm dhe lajmi u botua i plotë në gazetë në orën katër të pasdites”.

Burimi: Vox News