Katër pjesëtarë të një familjeje, burri, gruaja dhe dy djemtë i ka zënë stuhia në det, në Gjipe të Himarës, teksa kishin dalë për të mbledhur rrjetat e peshkimit me një mjet të vogël lundrues.
Varka është fundosur. Falë ndërhyrjes së një mjeti lundrues turistik të rastit, policisë kufitare e rojeve bregdetare është arritur të shpëtohen tre pjesëtarët, babai Robert Rama dhe dy djemtë Avdul Rama, Arsen Rama ndërkohë ka rënë në det dhe është mbytur gruaja, shtetasja Tefta (Mirela) Rama.
Trupi i saj i pajetë u gjet një milje larg vendit ku ishte përmbysur varka.
Familja kishte dalë në det rreth orës 05:00 të mëngjesit për të mbledhur rrjetat e peshkimit kur ka nisur stuhia.
Telefonata SOS
Ka qenë një telefonatë SOS që ka kërkuar ndihmë për varkën në mes të detit mëngjesin e sotëm
“Shërbimet e Policisë kufitare Dhërmi kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det për peshkim dhe si pasojë e dallgëve të mëdha dhe motit të keq personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin në Gjipe. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe rojën bregdetare për ndihmë”.
Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.