Federata Zvicerane e Futbollit ka konfirmuar se kapiteni Granit Xhaka nuk e ka marrë vaksinën kundër koronavirusit. Deklarata erdhi pasi Xhaka doli pozitiv në testin për Covid-19 dhe mungoi në takimin e të mërkurës të Zvicrës kundër Greqisë.
Adrian Arnold, drejtori i komunikimit në Federatë, tha se Xhaka ishte i vetmi lojtar që nuk kishte pranuar të merrte vaksinën, pas rekomandimit nga institucioni. Ai do të mungojë edhe në ndeshjet kualifikuese të Zvicrës kundër Italisë dhe Irlandës së Veriut dhe do të qëndrojë për 10 ditë të tjera në Zvicër.
Pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e Arsenal kundër Manchester City-t, mesfushori me origjinë shqiptare do të mungojë edhe për tre takime në kampionatin anglez. Xhaka u bë lojtari i parë nga ky kompeticion që zbulohet zyrtarisht se nuk e ka pranuar vaksinën antiCovid.
Çështja e vaksinave ka hapur debat në Angli, pasi një studim i kryer nga Premier League dhe English Football League tregoi se 30% e futbollistëve në Angli kanë ndjekur shembullin e Xhakës, dhe nuk kanë ndërmend ta bëjnë vaksinën. Sipas studimit, të botuar edhe nga “The Telegraph”, shumë prej lojtarëve mendojnë se mosha e re dhe gjendja fizike e tyre janë armë më të forta kundër koronavirusit sesa vaksina.