Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pezulluar sot nga detyra tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Durrës: Petrit Çenon, Kliton Spahiun dhe Petraq Dhimitrin.
Ky vendim erdhi pasi anëtarët e Këshillit u njohën dhe shqyrtuan informacionin e ardhur nga drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me datë 06.02.2018, ku njoftohej marrja si të pandehur të tre gjyqtarëve të sipërcituar.
Të tre gjyqtarët dyshohen për korrupsion, pasi në vitin 2014 kanë udhëtuar drejt Spanjës për të ndjekur një ndeshje futbolli, me shpenzimet e një biznesmeni, Namik Sadiku, i cili ishte palë në një proces civil, të drejtuar prej tyre, lidhur me pronësinë e një resorti turistik në Durrës.
Madje nga hetimet rezulton se ata kanë udhëtuar së bashku me biznesmenin në fjalë, i cili kishte humbur gjyqin në shkallën e parë. Por më pas ai arriti të fitonte procesin në Apelin e Durrësit. Të tre gjyqtarët kanë hedhur poshtë akuzat se udhëtimi i tyre është paguar nga biznesmeni Sadiku.
Për këtë vendimin ka reaguar ekskluzivisht për Javanews.al edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu.
Sipas tij, Ambasada e SHBA mirëpret këtë vendim.
Ja reagimi i tij:
“Ambasada e SHBA mirëpret pezullimin e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Durrës, përfshi kryegjyqtarin, ndërkohë që janë marrë të pandehur për korrupsion të rëndë.
Shtetet e Bashkuara mbështesin hetime dhe ndjekje penale serioze për krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Gjyqtarët e pandehur për korrupsion duhet të pezullohen, ndërkohë që presin gjyqin”.