Bota Donald Trump përgatit terrenin për një rikandidim të mundshëm

Donald Trump përgatit terrenin për një rikandidim të mundshëm

Ish-presidenti Donald Trump u prit me brohoritje nga mbështetësit e tij në Robstown të Teksasit, ku foli për dy garat e tij të para për Shtëpinë e Bardhë dhe la të kuptohej se mund të kandidojë për herë të tretë.

“Për ta bërë vendin tonë të suksesshëm, të sigurt dhe madhështor përsëri, ndoshta do të më duhet ta bëj (të kandidoj) sërish”, tha ai muajin e kaluar.

Fjala “ndoshta” e përdorur me kujdes, mund të shmanget së shpejti nga fjalori i tij, ndërsa zoti Trump bën fushatë. Ndihmësit e ish-presidentit po bëjnë pa bujë përgatitje për një fushatë presidenciale për vitin 2024 që mund të nisë menjëherë pas zgjedhjeve për Kongresin të javës së ardhshme, ndërsa zoti Trump përpiqet të përfitojë nga fitoret e pritshme të republikanëve për të përmirësuar shanset për t’u bërë kandidati kryesor i partisë së tij.

“Jam 95% i sigurt që ai do të kandidojë,” thotë Reince Priebus, ish-shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë të zotit Trump. “Pyetja e vërtet është nëse do të kandidojnë sfidues të tjerë me peshë? Nëse presidenti Trump kandidon, do të jetë shumë e vështirë për çdo republikan që të fitojë ndaj tij”, shton zoti Priebus.

Një fushatë tjetër do të ishte një kthesë e jashtëzakonshme për çdo ish-president, aq më shumë për zotin Trump që hyri në histori si i pari që iu nënshtrua dy herë procesit për shkarkimin e tij dhe mbetet i përfshirë në hetime kriminale të shumta, përfshirë hetimet për mbajtjen e informacionit të klasifikuar në Mar-a-Lago dhe përpjekjet e tij për të ushtruar presion ndaj zyrtarëve zgjedhorë për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Por zoti Trump, sipas personave të afërt me të, është i etur të kthehet në lojën politike. Ai ka folur për një rikthim të mundshëm që para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, por ndihmësit dhe aleatët e konsiderojnë periudhën dyjavore pas zgjedhjeve të 8 nëntorit si një dritare të mundshme për shpalljen e kandidaturës, megjithëse ata paralajmërojnë se ai nuk e ka marrë ende vendimin dhe se – si gjithmonë kur bëhet fjalë për zotin Trump – gjërat mund të ndryshojnë, veçanërisht nëse rezultatet e zgjedhjeve vonohen për shkak të rinumërimit ose një balotazhi të mundshëm të zgjedhjeve në Xhorxhia.

Përgatitjet për një deklarim të mundshëm vijnë ndërsa ish-presidenti ka rritur përpjekjet për të ndihmuar kandidatët në javët e fundit para zgjedhjeve, duke shpresuar që të përdorë fitoret e mundshme të republikanëve në Kongres për t’i dhënë hov një fushate të tij.

Zoti Trump ka rritur në mënyrë dramatike shpenzimet për kandidatët e tij të preferuar pasi u përball me kritika se nuk kishte ndihmuar sa duhet financiarisht. Ndërkohë ai vazhdon të mbledhë donacione të vogla në dollarë. Komiteti i tij i Veprimit Politik, MAGA Inc. që sapo është krijuar, ka shpenzuar deri tani mbi 16.4 milionë dollarë për reklama në një pjesë të vogël të shteteve konkurruese dhe dhurime shtesë priten gjatë ditës së zgjedhjeve, sipas burimeve që kanë njohuri për situatën por që folën në kushte anonimiteti për të diskutuar mbi operacionet e brendshme.

Dhe ish-presidenti Trump vazhdon të mbajë aktivitete në mbështetje të kandidatëve të preferuar, duke marrë pjesë deri tani në 30 tubime deri në 17 shtete, së bashku me dhjetëra paraqitje virtuale dhe më shumë se 50 mbledhje fondesh për kandidatët. Ndalesat e tij të fundit para zgjedhjeve të 8 nëntorit do të jenë në Ohajo dhe Pensilvani, dy shtete vendimtare për zgjedhjet presidenciale, ku mbështetja e tij ndihmoi kandidatët të siguronin emërimet e tyre. Ai do të kthehet gjithashtu në Ajova, ku mbahet gara e parë e kalendarit për emërimin e kandidatëve presidencialë.

Komiteti i Aksionit Politik “Save America” i organizuar nga zoti Trump thotë se ka mbledhur afro 350 milionë dollarë këtë cikël zgjedhor për kandidatët republikanë dhe komitetet e partive, përfshirë thirrjet për mbledhjen e fondeve në internet.

Fushata për zgjedhjet e vitit 2024 do të fillojë praktikisht kur qendrat e votimit të mbyllen më 8 nëntor dhe sfiduesit e mundshëm kanë shpenzuar muaj duke hedhur me kujdes bazat për fushatat e tyre të pritshme. Kjo përfshin guvernatorin e Floridës Ron DeSantis, i cili shihet gjerësisht si sfidanti më i fortë i zotit Trump dhe që ka kultivuar një rrjet të thellë donatorësh ndërsa kandidon për rizgjedhje.

Senatori i Teksasit, Ted Cruz, senatori i Floridas, Rick Scott dhe senatori i Arkansasit, Tom Cotton, kanë bërë fushatë agresive për kandidatët e zgjedhjeve të 8 nëntorit, ashtu si edhe ish-nënpresidenti Mike Pence, ish-sekretari i shtetit Mike Pompeo dhe ish-ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley.

Ish-presidenti Trump ndërkohë përballet me sfida në rritje. Ai mbetet një figurë thellësisht polarizuese, veçanërisht pasi kaloi dy vitet e fundit duke përhapur gënjeshtra për zgjedhjet e vitit 2020. Dhe megjithëse ai mbetet jashtëzakonisht popullor në mesin e republikanëve, një sondazh i tetorit i AP-NORC zbuloi se 43% e të anketuarve thanë se nuk duan që ai të kandidojë për president në vitin 2024.

Duke pasur parasysh pikërisht polarizimin, shumë në orbitën e zotit Trump i kishin kërkuar që të mos bënte ndonjë njoftim deri pas zgjedhjeve të mesit të mandatit për të shmangur kthimin e zgjedhjeve në një referendum për të.

Të tjerët pranë ish-presidentit mbeten skeptikë për mundësinë e një kandidimi tjetër, duke argumentuar se egoja e tij nuk mund ta pranojë një humbje tjetër ose se ai mund të druhet nga një padi e mundshme. Të tjerë shtrojnë pyetjen nëse ai do të arrijë të jetë i emëruari republikan në vitin 2024, edhe nëse fillon një fushatë.

Një sfidë tjetër për zotin Trump janë çështjet e shumta ligjore me të cilat përballet.

Departamenti i Drejtësisë po bën një hetim intensiv lidhur me praninë e qindra dokumenteve të klasifikuara në klubin e tij në Palm Beach, Florida. Prokurorët e shtetit të Xhorxhias vazhdojnë të hetojnë përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, ashtu si edhe Departamenti i Drejtësisë dhe komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që heton sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit, i cili së fundi i dërgoi atij një fletëthirrje për t’u paraqitur si dëshmitar.

Në Nju Jork, Prokurorja e Përgjithshme Letitia James ka paditur zotin Trump me akuzën se kompania e tij është përfshirë në mashtrime me llogaritë e saj për dekada. Organizata Trump tani është në gjyq për akuza kriminale për mashtrim me taksat dhe zoti Trump së fundi u ul për një deshmi në një padi të ngritur nga E. Jean Carroll, e cila pretendon se ish-presidenti e kishte përdhunuar në mesin e viteve 1990. Zoti Trump i mohon akuzat.

Në një aktivitet të Partisë Republikane në Ajova për mbledhje fondesh, të drejtuar nga zoti Pence, votuesit vlerësuan kohën kur ishte president zoti Trump, por nuk ishin të gjithë në një mendje lidhur me mundësinë e një gare tjetër.

“Unë do të doja që të kandidonte përsëri,” tha 81-vjeçarja Jane Murphy, një vullnetare republikane e cila jeton në Davenport. “Ai më zemëron me disa nga gjërat që thotë. Por e bën punën.”

Por Carol Crain, një aktiviste republikane nga Ajova lindore, shprehu rezerva.

“Unë mendoj se shumë republikanë janë lodhur nga drama dhe konfliktet,” tha 73 vjeçarja Crain. “Është me të vërtetë rraskapitëse. Me njëri-tjetrin, njerëzit thonë se do të ishte mirë që ai të mbështeste dikë dhe të largohej vetë.”/VOA