Donald Trump është nën hetim nga FBI me akuza që lidhen me spiunazhin, por ende nuk është e qartë plotësisht se sa thellë shkojnë këto akuza.
FBI-ja la vilën e ish-Presidentit në Mar-a-Lago me 11 kuti dokumentesh të ndjeshme, disa të shënuara të klasifikuara dhe tepër sekrete. Një kuti që u sekuestrua kishte një etiketë ‘intriguese’, që thoshte se bëhej fjalë për “Presidentin e Francës”.
Një kuti tjetër përmbante letrën që Trump shkroi duke i dhënë falje mikut dhe aleatit të tij të vjetër Roger Stone.
Konfirmimi i asaj që u mor u zbulua në një faturë që FBI-ja la pasi kishte kryer kontrollin e tyre, duke dhënë një përmbledhje të materialeve që kishte sekuestruar.
Bastisja e FBI lidhet me një hetim që synon të zbulojë nëse ish-presidenti hoqi të dhënat e klasifikuara dhe materiale të tjera të ndjeshme nga Shtëpia e Bardhë.
Publikimi i urdhrit nuk përfshin provat e dhëna që çuan në kontroll. Sipas disa raporteve në mediat amerikane, një burim brenda ekipit të Trump kishte ndihmuar FBI-në të identifikonte vendndodhjen e dokumenteve të dyshuara të keqtrajtuara.
Sipas Washington Post, duke cituar burime anonime të enjten mbrëma, dokumentet në lidhje me armët bërthamore ishin ndër materialet që po kërkonte FBI. Burimet nuk i thanë gazetës nëse informacioni përfshinte armët bërthamore amerikane, apo të ndonjë kombi tjetër.
Autoritetet bënë publike urdhrin e një gjykatësi federal të Floridas që autorizonte agjentët e FBI që të kontrollojnë “Zyrën 45”, që i referohet Trumpit si presidenti i 45-të i Amerikës – si dhe “të gjitha dhomat e magazinimit” dhe të gjitha dhomat e përdorura nga Trump dhe stafi i tij në të cilat mund të ruheshin kuti e materiale.
Urdhri përjashton në mënyrë specifike zona të caktuara nga kontrollimi, duke përfshirë suita private për miqtë, ose objekte të tjera që merren me qira, ose ku jetojnë miq dhe të ftuarit e anëtarë të tjerë të klubit të golfit, sporti i preferuar i Trump.