Ish-presidenti amerikan Donald Trump është zyrtarisht nën arrest pasi u njoh me akuzat në gjykatën e Manhattanit në Nju Jork. Trumpit iu morën shenjat e gishtave për çështjen penale për të cilën akuzohet. Ndaj tij u lexuan 34 akuza.
Por, Donald Trump nuk do të vihet nën pranga dhe do të gjykohet në gjendje të lirë. Kjo për shkak se duke qenë ish-President, Trump mbahet ende në ruajtje nga Shërbimi Sekret dhe nuk ka gjasa që të arratiset apo të përpiqet që të dëmtojë hetimet ndaj tij. Përpos kësaj, ka paraqitur edhe një garanci pasurore, sipas mediave amerikane. Para gjykatësit, Donald Trump u deklarua i pafajshëm.
Pas rreth 2 orësh, ish-Presidenti u largua nga gjykata dhe nuk bëri asnjë koment për gazetarët. Në sallën e gjyqit u lejua një numër shumë i kufizuar fotografësh.
Trump është larguar nga gjykata e Manhattanit rreth 2 orë pasi mbërriti aty ku u njoh me 34 akuzat dhe është zyrtarisht nën arrest, por jo në paraburgim.
Pas daljes nga gjykata, Donald Trump nuk bëri asnjë koment. Ish-Presidenti u fut brenda makinës dhe u largua së bashku me eskortën policore që e shoqëron.
Ish-Presidenti akuzohet për mosdeklarimin e pagesës prej 130 mijë Dollarësh të bërë në vitin 2016 për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, në këmbim të aferës seksuale që Trump dyshohet se ka pasur me të në 2006-n.
Donald Trump është i pari President amerikan që përballet me akuza penale.
Teksa ishte rrugës për në gjykatën e Manhattanit, Donald Trump shkroi në rrjetin e tij social “Truth Social”: “Duket kaq sureale, ata do të më arrestojnë. Nuk më bësohet që kjo po ndodh në Amerikë”.