SPAK dha këtë të martë pretencën për Rexhep Rapin, i njohur si Kep Arapi, nipin e tij Algert Rapi dhe ish-shefin e krimeve, Dedan Gjoni në lidhje me planin për vrasjen e Xhevdet Plakut.
Për Kep Arapin, Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin e tij me 7.6 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar u kërkua konvertimi i dënimit në 5 vite heqje lirie.
Për Algert Rapin u kërkua 7.4 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar konvertohet në 4.8 vite heqje lirie.
E njëjta kërkesë u lexua nga SPAK edhe për Dedan Gjonin, ish-shefin e krimeve në komisariatin numër 6 dhe Dejvi Gjermenin për të cilët kërkohet 4.8 vite burg me gjykim të shkurtuar.
Këta persona akuzohen për sigurimin e kushteve për të vrarë Xhevdet Kiss (Plaku), grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal.
Kujtojmë se hetimi i SPAK ndaj tyre nisi mbi bazën e informacioneve të përcjella nga Prokuroria në Holandë.
Nga verifikimet rezultoi se Dedan Gjoni ka thirrur në komisariat “Akilin” dhe u ka thënë autorëve orarin që do e lironte dhe u ka nisur foto të tij. Më pas kjo ngjarje nuk është realizuar dot pas autorët janë tërhequr.
Nga provat rezultoi se urdhri për krimin u dha nga Holanda.
Hakmarrja mes Plakut dhe Arapit e ka zanafillën që në vitin 2000. Kep Arapi dyshonte se Plaku, i njohur si “Akili” me 25 identitete ka marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tij.
Konflikti i vitit 2000 dyshohet për çështje të trafikut të drogës.