Në fjalën e tij para shqiptarëve në Angli, kreu i qeverisë Edi Rama ndau 3 momente nga vizita e tij e fundit atje.
Secili prej tyre me një “emërues” të përbashkët, roli i rëndësishëm i çdo shqiptari që jeton e punon në atë shtet.
“Kur isha disa kohë më parë në Londër për të folur për ju të gjithë, ndodhi diçka që për mua ishte e këndshme, por për truprojën angleze ishte e çuditshme. Hyj në hotel, ulem të marr një kafe, vjen kamarieri dhe më flet shqip, i thashë truprojës “don’t worry, i’m home!” Ka ndodhur tamam kështu, dal të nesërmen në mëngjes dhe dëgjoj britma nga larg, 3 punëtorë shqiptarë në skela te godina ngjitur. Unë i kthehem truprojës dhe ia them sërish atë frazë. Kulmi ishte te parlamenti britanik, më tha roja: “ku je bre kryeministër, mirë se na ke ardhur në Londër!” Aty i them truprojës “Are you from Albania too?!” Ajo teta që iu tregonte ju me gisht iku nga pushteti, kurse ju ja ku jeni! Këtu ku ishit!”, tha Rama.