Aktualitet Donte të kalonte kufirin i infektuar me Covid-19, gjobitet me 700 mijë...

Donte të kalonte kufirin i infektuar me Covid-19, gjobitet me 700 mijë lekë

Një 41-vjeçar nga Mallakastra është gjobitur nga Policia e Shtetit me 700 mijë lekë, pasi është kapur duke kaluar në pikën kufitare të Kakvijës drejt Greqisë, edhe pse ishte i infektuar me Covid-19.

Në njoftimin e përditshëm për monitorimin e zbatimit të masave kundër përhapjes së koronavirusit, Policia tha se gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me gjobë 621 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Gjithashtu, në Elbasan është ndëshkuar me masë administrative 1 milion lekë shtetasi P. N., pasi në lokalin në pronësi të tij, në Hotolisht, Librazhd, ka organizuar një ceremoni martesore, ne kundërshtim me masat anti-Covid.

Në Durrës është ndëshkuar me masën 5000 lekë, një 21-vjeçar, pasi është konstatuar përsëritës i mosmbajtjes së maskës, herën e parë në rrugë dhe herën e dytë në një automjet, me drejtuesin e të cilit nuk kishte lidhje familjare.

Gjithashtu, është ndëshkuar më masë administrative 1 milion lekë shtetasi E. B., pasi ka mbajtur hapur lokalin në pronësi të tij, në lagjen nr. 7, Korçë dhe ka vendosur muzikë pas orës 20:00 në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 11 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.