Dëshmia më e freskët e “marrëdhënieve ndoshta më të mira ndonjëherë” u shfaq më e gjallë se kurrë në vizitën e fundit në Tiranë së presidentit turk, Recep Tayip Erdogan. “Bekimi” hapi dyert e Xhamisë së Namazgjasë gati një dekadë pas hedhjes së themeleve ishte vetëm maja e ajsbergut të vëllazërisë shqiptaro-turke. “Dhuratat” e tjera që Erdogan kishte sjellë me vetë bashkë me marrëveshjet e firmosura në Tiranë, bënë që me plotë gojën kryeministri Rama të nxirrte nga goja se… “Shqipëria është e pa-goditshme”.
Politikisht, Shqipëria dhe Turqia e kanë shpallur njëra-tjetrën si aleate dhe partnere të rëndësishme, një sinjal ky për tregjet dhe investitorët e të dyja vendeve për të rritur bashkëpunimit dhe nxitur shkëmbimet mes tyre edhe në vijim.
Marrëdhëniet e mira politike mes dy vendeve po reflektohen me ritme të shpejta edhe në rrafshin ekonomik. Në fluksin e investimeve të huaja në Shqipëri, shpenzimet e sipërmarrjeve turke zënë një peshë kryesore. Në top 5 shtetet më të rëndësishme për vendin tonë renditet Turqia sa i përket investimeve, pas Holandës, Zvicrës, Kanadasë dhe Italisë.
“Zonën e Ballkanit, por edhe Shqipërinë e shikojmë si një vend potencial për rritjen e bashkëpunimit midis Turqisë dhe shpresojmë në një rritje të volumit tregtar pas këtij aktivitetit. Qëllimi ynë është rritja e bashkëpunimit dhe vëllimit tregtar midis dy vendeve tona dhe mendoj që me anë të aktiviteteve të këtij lloji shpresojmë t’ia arrijmë”, tha për A2 CNN, Samet Damar nga Shoqata Turke e Eksportuesve të Çelikut.
Rritja e bashkëpunimit ekonomik ka bërë që vlera tyre të ndjek një trend rritës duke arritur në 1.1 miliardë euro në gjysmën e parë të vitit. Investimet turke shtrihen në një sërë sektorësh si pasuritë e patundshme, pasuar nga investimet në sektorin bankar dhe atë financiar, hidrokarburet, energjia dhe tregtia, shëndetësia, arsimi. Por vëmendjen e bizneseve turke këtë vit po e tërheq dhe sektori i turizmit, të cilin e shohin si një potencial për ta zhvilluar më tej duke sjellë eksperiencën ndërkombëtare.
“Shqipërinë e shohim si një vend potencial për të investuar. Është një vend i vogël, por duke u zhvilluar. Shpresojmë shumë që dhe kompanitë shqiptare të vijnë në Turqi dhe të fillojë lëvizja e tregut. Çeliku turk eksportohet në shumë vende të botës, kështu që ne duam edhe me rritjen e sektorit të ndërtimit në Shqipëri, çeliku turk të jetë i pranishëm në tregun shqiptar”, tha për A2 CNN, Ipek Yuksel, sipërmarrëse turke në Shqipëri.
Shqipëria dhe Turqia rikonfirmuan së fundmi partneritetin e tyre strategjik, në një konferencë të përbashkët mes Presidentit turk Recep Taip Erdogan dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama. Në listën e projekteve të reja të përbashkëta u shpalos edhe një plani i ri, ai i dyfishimit të nivelit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
Sa i përket marrëdhënieve tregtare, Turqia është një ndër shtet që Shqipëria ka eksportuar por dhe importuar më shumë mallra këtë vit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se vlera e mallrave shqiptare të shitura në Turqi në 6 muajt e parë të vitit arriti në 2.7 miliardë lekë. Ndërsa blemë rreth 66.2 miliardë lekë produkte turke duke bërë që më e fituara në shkëmbimet tregtare të jetë Turqia teksa deficiti tregtar arriti në 63.5 miliardë lekë deri në qershor.
Si synim Turqia ka arritjen e vëllimeve tregtare në vlerën 2 miliardë dollarëve. Investimet turke në Shqipëri morën një hov edhe pas turit ndërkombëtar të takimeve të kryeministrit Rama.
“I shohim nismat në fushën e tregtisë dhe investimeve si hapa që do ta rrisin mirëqenien e popujve. Ramë dakord të diversifikojmë investimet e ndërsjella duke përfshirë sektorë novatorë”, tha nga Tirana, Recep Tayyip Erdogan.
Veç investimeve të huaja dhe tregtisë Turqia është edhe shteti që ka investuar më shumë para në drejtim fesë në Shqipëri.
Kupolë e lartë 36 metër, 4 minare të gjata 56 metër, e shtrirë në gati 10 mijë metër katrorë dhe me kapacitet për të pritur deri në 5 mijë besimtarë… Pas gati 9 vitesh e gjysmë nga hapja e themeleve Namazgjasë me kosto 24.3 milionë euro është hapur për të pritur besimtarët.
Ndërtimi i Xhamisë më të madhe në Ballkan nisi në vitin 2015 mbi truallin e njohur si Namazgjah në zemër të Tiranës. Punimet pothuajse përfunduan në vitin 2019, por hapja e xhamisë u mbaj pezull edhe për pesë vjet të tjera.
Me mbështetjen financiare të Drejtorisë për Çështjet Fetare në Turqi, Diyanet, pjesë e Xhamisë së Madhe, janë edhe bibliotekat, qendra kulturore, parkingu, kursi i librit të shenjtë, Kuranit, salla e ekspozitave, mensa dhe ajo e konferencave.
Kjo nuk është hera e parë që Turqia investon në objekte fetare. Disa qindra-mijëra euro u shpenzuan nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim për restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut. Qeveria turke i ka kushtuar një rëndësi të madhe ruajtjes së objekteve historike nga periudha osmane, duke investuar rreth 20 milionë euro në 500 projekte restaurimi me anë të agjencisë TIKA.
Kjo vlerë është 20-fish më e lartë nga ajo që qeveria e Shqipërisë jep për komunitetet fetare. Këtë vit nga Buxhetit i Shtetit kulteve fetare iu ndanë pak më shumë se 142 milionë lekë apo rreth 1.4 milionë euro. Pjesa më e madhe e arave, gati 39 milionë lekë iu shpërndanë Komunitetit Mysliman. Kisha Ortodokse Autoqefale dhe ajo Katolike morën nga 37.9 milionë lekë, ndërsa pjesa tjetër shkoi për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.
Bazuar te marrëdhëniet politike mes dy shteteve, rritja më tej e bashkëpunimit ekonomik duket si një objektiv i lehtë për tu arrirë./Burimi: A2 CNN